Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të zgjasin edhe me 30 ditë lehtësimin e përkohshëm të sanksioneve ndaj naftës ruse, në një përpjekje për të shmangur krizën energjetike që po prek vendet më të varfra pas përshkallëzimit të konfliktit mes Iranit dhe aleatëve perëndimorë.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi se administrata amerikane do të lejojë pëkohësisht blerjen e naftës ruse të transportuar me cisterna detare, pavarësisht sanksioneve të vendosura ndaj kompanive energjetike ruse.

Reagimet politike në Shtetet e Bashkuara kanë qenë të menjëhershme, pasi senatorët demokrat e cilësuan vendimin si një “dhuratë të pajustifikueshme” për presidentin rus Vladimir Putin.

Ekspertët ndërkombëtarë paralajmërojnë se efekti në uljen e çmimeve të karburanteve në SHBA pritet të jetë i kufizuar, ndërsa përfituesja kryesore mbetet ekonomia ruse, e cila po përballet me presion të madh financiar nga sanksionet perëndimore dhe sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike.

Ndërkohë, tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të ndikojnë tregjet globale, pasi çmimi i naftës Brent u rrit mbi 112 dollarë për fuçi.

Klan News

/tvklan.al