Akademikë nga rajoni peticion online

Sulmi ndaj ambasadës së Malit të Zi në Beograd ka sjellë reagimin e Ambasadores Amerikane në Podgoricë, Judy Rising Reinke. Diplomatja amerikane përmes një postimi në rrjetet sociale e ka dënuar atë duke apeluar për dialog mes palëve.

“Jam e tronditur nga pamjet e përdhosjes së flamurit të Malit të Zi në ambasadën e saj në Beograd. Sulmi ndaj misionit diplomatik  është absolutisht i papranueshëm. Dallimet e mendimeve duhet të adresohen përmes dialogut, jo dhunës dhe vandalizmit”.

Ndërkohë dhjetëra zyrtarë dhe ish-zyrtarë, akademikë dhe figura të kulturës në Ballkan i janë bashkuar një peticioni online  ku sipas tyre Beogradi po kthehet në një kërcënim për paqen në rajonin e Ballkanit.

Në mesin e 120 nënshkruesve janë ish-presidentë të Kroacisë dhe Sllovenisë, ish-liderë jugosllavë, tre ligjvënës serbë dhe dhjetra gazetarë.

Kryeministri malazez, Dushko Markoviç u shpreh i befasuar për qëndrimin e autoriteteve serbe ndaj aktit të djegies e flamurit kombëtar të Malit të Zi.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç u shpreh se nuk ndihej aspak krenar me djegien e flamurit malazez por shtoi se në asnjë moment Ambasada nuk u kërcënua dhe se askush nuk u përpoq të hynte në të.

Përshkallëzimi i situatës mes dy vendeve erdhi pas miratimit nga parlamenti malazez i ligjit për komunitetet fetare. Serbet në Mal të Zi dhe në Beograd pretendojnë se përmes kësaj nisme ligjore, Podgorica synon të përvetësojë pronat e Kishës Ortodokse.

Tv Klan