Pentagoni dhe kompania amerikane e mbrojtjes Lockheed Martin kanë arritur një marrëveshje dhjetëvjeçare për furnizimin e Shteteve të Bashkuara me të paktën 850 avionë luftarakë F-35.

Marrëveshja synon të sigurojë prodhimin dhe furnizimin e vazhdueshëm me këta avionë të avancuar, si dhe të forcojë kapacitetet ushtarake të SHBA-ve.

Sipas Departamentit amerikan të Luftës, marrëveshja do të ndihmojë në planifikimin më të mirë të prodhimit dhe në menaxhimin e furnizimeve. Kjo pritet t’i mundësojë Pentagonit të organizojë më mirë blerjet dhe të ulë kostot përmes prodhimit në sasi të mëdha.

Në kuadër të marrëveshjes, Lockheed Martin pritet të investojë të paktën 7 miliardë dollarë nga fondet e veta në projekte që lidhen me programin F-35. Paketa përfshin gjithashtu pjesë rezervë, pajisje për përmirësimin e avionëve dhe mbështetje për mirëmbajtjen e flotës që përdoret në vende të ndryshme të botës, raporton Reuters.

Megjithatë, marrëveshja nuk mund të zbatohet plotësisht pa miratimet e nevojshme të Kongresit amerikan dhe sigurimin e fondeve përkatëse.

Michael P. Duffey, nënsekretar në Departamentin amerikan të Luftës, tha se kjo marrëveshje është pjesë e përpjekjeve për të rritur prodhimin vendas të pajisjeve ushtarake dhe për të forcuar industrinë amerikane të mbrojtjes.

Avionët F-35 janë ndër mjetet luftarake më të avancuara të ushtrisë amerikane. Ata janë projektuar për të qenë më pak të dallueshëm nga radarët dhe kanë sensorë të avancuar që mundësojnë mbledhjen dhe shkëmbimin e informacionit gjatë operacioneve ushtarake.

Përmes kësaj marrëveshjeje, SHBA-të synon të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me avionë luftarakë për vitet e ardhshme, ndërsa njëkohësisht kërkon të rrisë kapacitetet e industrisë së saj të mbrojtjes në një kohë kur kërkesa për pajisje ushtarake mbetet e lartë.

/tvklan.al