Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Izrael, Mike Huckabee, ka paralajmëruar kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar të mos vjedhin pronat e shtetasve palestinezo-amerikanë.
Huckabee tha për Reuters se një sjellje e tillë është “një shkelje të ligjit të Zotit”.
I pyetur se çfarë mesazhi ka administrata e presidentit Trump për veprimet e kolonëve, ambasadori tha se askush nuk duhet të marrë diçka që nuk i përket.
“Mendoj se mesazhi është më i madh se vetë administrata Trump. Është një mesazh i mirësjelljes themelore dhe sjelljes së civilizuar. Nuk merr diçka që nuk të përket. Pra, nëse dikush zotëron tokën dhe shtëpinë e tij, atëherë dikush që vjen dhe e merr atë dhe e tremb familjen për të qëndruar larg, kjo është një shkelje. Jo vetëm ligjet e njerëzve, kjo është një shkelje e ligjit të Zotit”, tha Huckabee.
Ambasadori tha se Shtetet e Bashkuara ishin “të tmerruara” nga ajo që kishte ndodhur në Kusra, ku familjet palestineze u rrethuan nga kolonët izraelitë.
Huckabee tha se kushdo që është i përfshirë mund të përballet me sanksione, të tilla si ndalimi i hyrjes në SHBA, megjithëse ai tha se nuk ishte në dijeni se ndonjë masë e tillë ishte duke u shqyrtuar.
“Njerëzit janë të pafajshëm derisa të provohet fajësia e tyre. Ky është standardi i SHBA. Por nëse provohet fajësia e tyre, duhet të ketë pasoja. Dhe pasojat mund të variojnë nga shumë gjëra. Shtetet e Bashkuara mund të vendosin jo vetëm një ndalim udhëtimi, por edhe sanksione. Por nuk kam dëgjuar askënd ta thotë këtë”, tha Huckabee.
Kolonët izraelitë filluan të rrethonin shtëpitë në Kusra më 9 gusht.
Ushtria izraelite ka vendosur dhjetëra trupa në zonë dhe që atëherë i ka larguar kolonët nga shtëpitë.
Por ata mbeten afër dhe banorët, kanë thënë se kanë frikë se kolonët do të shkelin përsëri pronat e tyre pasi trupat të tërhiqen.
Zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar se dhjetëra mijëra palestinezo-amerikanë jetojnë në Bregun Perëndimor, shumë prej tyre në një grup fshatrash midis Ramallahut dhe Nablusit, ku ndodhet Kusra.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
