Shtetet e Bashkuara po avancojnë një marrëveshje historike për bashkëpunim në energjinë bërthamore për qëllime civile me Arabinë Saudite.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se çdo marrëveshje e ardhshme me Riadin do të përfshijë mekanizma të rreptë sigurie, për të garantuar që teknologjia bërthamore të mos shndërrohet kurrë në program për armë bërthamore.

“Detajet e marrëveshjes do të bëhen publike pas procesit të njoftimit në Kongres. Ajo që mund të them është se Shtetet e Bashkuara kërkojnë gjithmonë marrëveshje bashkëpunimi me aleatët e tyre. Arabia Saudite është një partner strategjik dhe, kur një vend vendos të zhvillojë një program civil bërthamor, ne preferojmë ta bëjë me teknologji amerikane dhe jo me atë të ndonjë shteti tjetër”, tha Rubio.

Rubio theksoi se përfshirja e kompanive amerikane ofron garancitë më të forta për përdorimin ekskluzivisht paqësor të teknologjisë bërthamore.

“Çdo marrëveshje që Shtetet e Bashkuara lidhin për energjinë bërthamore civile do të ketë masa mbrojtëse që garantojnë se teknologjia nuk mund të kthehet në program armësh. Një nga garancitë më të mira është që teknologjia dhe kompanitë amerikane të jenë pjesë e projektit. Nëse një vend zgjedh një partner tjetër, atëherë ne nuk kemi kontroll mbi këto mekanizma sigurie”, tha Rubio.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit foli edhe për përshkallëzimin e konfliktit me Iranin.

Ai akuzoi Teheranin se ka shkelur vazhdimisht marrëveshjet e mëparshme, ndërsa deklaroi se presioni ushtarak amerikan do të vazhdojë derisa autoritetet iraniane të rikthehen në tryezën e negociatave.

“Irani po na kërkon çdo ditë, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, të ulemi për bisedime. Problemi është se sa herë arrijnë një marrëveshje, drejtuesit e tyre ose e shkelin, ose kërkojnë ta ndryshojnë. Nëse nuk janë gati për një marrëveshje serioze, atëherë do të vazhdojnë të paguajnë një çmim gjithnjë e më të lartë. Ky presion do të vazhdojë derisa ta kuptojnë se kjo nuk është një rrugë fituese për ta”, tha Rubio.

Administrata amerikane ka theksuar se objektivi mbetet parandalimi i përhapjes së armëve bërthamore dhe ruajtja e stabilitetit në Lindjen e Mesme.

Klan News

/tvklan.al