Administrata e Presidentit Donald Trump tha se planifikonte të revokonte vizat joemigruese të të huajve që kanë aplikuar për statusin e azilit në Shtetet e Bashkuara.

Reuters raporton se një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se po koordinohej me Departamentin e Sigurisë Kombëtare “për të identifikuar dhe revokuar vizat joemigruese të të huajve që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara duke pretenduar se janë vizitorë afatshkurtër, por më pas aplikojnë për azil për të qëndruar përgjithmonë”.

Sipas Associated Press, janë deri në 200 mijë të huaj, të cilëve planifikohet t’u revokohen vizat e biznesit dhe turizmit. Nëse planet vendosen në zbatim, ky do të ishte revokimi më i madh masiv i vizave në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Në raportin e Associated Press thuhet se Departamenti i Shtetit do të revokojë të ashtuquajturat viza B1 dhe B2 të lëshuara midis viteve 2016 dhe 2026, mbajtësit e të cilave kanë kërkuar azil ose tani po kërkojnë azil. Vizat joemigruese B1 dhe B2 lëshohen për udhëtime biznesi dhe turistike.

Revokimi i vizave nuk do të rezultojë domosdoshmërisht në deportim të menjëhershëm, raporton Associated Press, duke shtuar se shumica e atyre me raste azili aktualisht në pritje do të rikategorizoheshin, por do të humbisnin statusin e tyre si udhëtarë biznesi ose turistikë.

Departamenti i Shtetit tha më parë këtë muaj se, nën administratën Trump, ka revokuar më shumë se 175 mijë viza të shtetasve të huaj. Ndërkaq, masat e ashpra të qeverisë janë përballur me sfida ligjore.

Klan News

/tvklan.al