Një raport mediatik i publikuar të martën në mbrëmje, 24 mars, ka zbuluar detaje të një plani të paraqitur nga SHBA-të ndaj Iranit, që synon t’i japë fund luftës në Lindjen e Mesme, pas deklaratës së Presidentit Donald Trump se Washingtoni dhe Teherani kanë arritur në “15 pika kryesore marrëveshjeje”.

Sipas raportit, plani parashikon çmontimin e plotë të kapaciteteve bërthamore të Iranit dhe angazhimin që vendi të mos ndjekë kurrë armë bërthamore.

Gjithashtu, ndalohet prodhimi i materialeve për armë bërthamore në territorin iranian dhe të gjitha materialet e pasuruara do t’i dorëzohen Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) brenda një afati të përcaktuar.

Po ashtu, objektet bërthamore në Natanz, Isfahan dhe Fordow do të çaktivizohen dhe shkatërrohen, ndërsa IAEA do të ketë akses të plotë në informacionet mbi programin bërthamor të Iranit. Irani gjithashtu do të ndërpresë financimin, drejtimin dhe armatosjen e grupeve të tij aleate në rajon.

Në plan parashikohet që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur si një zonë e lirë detare dhe të mos bllokohet nga askush. Ndërkohë, për programin raketor të Iranit do të merret një vendim në një fazë të mëvonshme, por pritet që kapacitetet dhe numri i raketave të kufizohen, duke lejuar përdorimin e tyre vetëm për qëllime vetëmbrojtjeje.

Në këmbim, të gjitha sanksionet ndaj Iranit do të hiqen dhe vendi do të marrë ndihmë për zhvillimin e një programi civil bërthamor në Bushehr. Gjithashtu, parashikohet heqja e mekanizmit të rikthimit automatik të sanksioneve të OKB-së (i njohur si “snapback”).

Tensionet në rajon janë përshkallëzuar që nga fillimi i sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt.

Në përgjigje, Irani ka ndërmarrë sulme të përsëritura me dronë dhe raketa ndaj Izraelit dhe vendeve të Gjirit Persik që strehojnë baza ushtarake amerikane.

/tvklan.al