Shtetet e Bashkuara po i kërkojnë Bolivisë të ndërmarrë masa të rrepta ndaj shtetasve iranianë dhe anëtarëve të Hezbollahut dhe Hamasit, raporton agjencia Reuters, duke cituar dy burime “të mirëinformuara mbi çështjen”.
Sipas këtyre burimeve, Uashingtoni po ushtron presion mbi La Paz që të dëbojë “spiunë të dyshuar iranianë” dhe të shpallë Gardën Revolucionare Islamike të Iranit, një nga strukturat më të fuqishme të regjimit në Teheran, si organizatë terroriste. Po ashtu, SHBA-të kërkojnë që qeveria boliviane ta klasifikojë Hezbollah-un dhe Hamasin, të cilët Uashingtoni i konsideron si krahë të armatosur të Iranit, si organizata terroriste.
Reuters shkruan se këto përpjekje diplomatike synojnë forcimin e ndikimit amerikan në Amerikën e Jugut dhe dobësimin e ndikimit të kundërshtarit, Iranit.
Më herët gjatë janarit, SHBA-të kishin zhvilluar një operacion të bujshëm në Venezuelë, aleate e njohur e Teheranit, duke rrëmbyer presidentin Nicolas Maduro dhe bashkëshorten e tij, me qëllim gjykimin e tyre në Nju Jork për përfshirje në trafik droge.
Ministria e Jashtme e Bolivisë i ka deklaruar Reuters se “nuk ka ende një qëndrim përfundimtar mbi këtë çështje”, ndërsa Departamenti i Shtetit në Uashington nuk ka dhënë konfirmim zyrtar.
Sipas artikullit të Reuters, vitet e fundit Bolivia ishte shndërruar në “një bazë të rëndësishme për operacionet e shërbimeve sekrete iraniane në të gjithë kontinentin”. Rick de la Torre, ish-oficer i CIA-s, ka deklaruar se Venezuela mbetet baza kryesore e Iranit në Amerikën Latine, por Bolivia dhe Nikaragua, vende me marrëdhënie të ftohta me SHBA-të dhe të qeverisura nga regjime autoritare, janë kthyer në baza dytësore iraniane në rajon. Uashingtoni ka kritikuar klimën “lejuese” në këto vende.
Në shtator, Ekuadori e shpalli Gardën Revolucionare Iraniane organizatë terroriste, ndërsa Argjentina e klasifikoi forcën iraniane Al-Qods, nën shtysën amerikane. SHBA-të po zhvillojnë gjithashtu bisedime me Kilin, Perunë dhe Panamanë për t’i nxitur të ndërmarrin masa të ngjashme, duke argumentuar se “anëtarë të Hezbollahut janë aktivë në të gjitha këto vende”, sipas zyrtarëve amerikanë.
Artikulli i Reuters ndalet edhe te “historia e gjatë e aktivitetit të Iranit dhe Hezbollahut në Amerikën Latine”. Mes operacioneve më të fundit përmendet një komplot i dyshuar për vrasjen e ambasadorit izraelit në Meksikë, i cili thuhet se u parandalua vitin e kaluar nga shërbimet meksikane të sigurisë. Sipas burimeve, ky plan do të ishte orkestruar pjesërisht nga një agjent i infiltruar i forcës Al-Qods me bazë në Karakas.
Reuters thekson se Hezbollahu ka operuar prej kohësh në Amerikën Latine, duke gjeneruar të ardhura për aktivitetet e tij globale përmes kontrabandës dhe, herë pas here, edhe sulmeve terroriste. Megjithatë, mes zyrtarëve amerikanë ka mospajtime mbi shkallën reale të kësaj pranie.
Disa e konsiderojnë rrjetin financiar të Hezbollahut në rajon si të organizuar dhe të strukturuar, ndërsa të tjerë mendojnë se një pjesë e fondeve vijnë nga donacione dhe transferta të diasporës së madhe libaneze në Amerikën Latine, të cilat përfundojnë rastësisht te individë të lidhur me Hezbollahun.
“Udhëheqja e Hezbollahut nuk menaxhon në detaje çdo aktivitet kriminal,” shprehet Rick de la Torre, “por ajo autorizon dhe përfiton nga një arkitekturë globale lehtësuese që përfshin edhe Amerikën Latine”.
/tvklan.al












Botërori 2026 
