Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar sot në 20 prill se të enjten do të zhvillohet një raund i dytë bisedimesh direkt mes Libanit dhe Izraelit, të cilat do të mbahen në Departamentin e Shtetit në Uashington.

Këto negociata vijnë pas një armëpushimi të brishtë që hyri në fuqi mes Izraelit dhe Hezbollahut javën e kaluar dhe pas takimit të parë historik mes palëve pas dekadash.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se SHBA-të mirëpret angazhimin produktiv të nisur më 14 prill dhe do të vazhdojë të lehtësojë dialogun e drejtpërdrejtë mes dy qeverive. Takimi i parë u zhvillua mes ambasadorëve të Libanit dhe Izraelit, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve amerikanë.

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, ka deklaruar se vendi i tij do të vazhdojë rrugën e negociatave me Izraelin, duke theksuar se këto nuk janë shenjë dobësie, por një vendim për të mbrojtur vendin dhe qytetarët. Ai ka thënë se Libani synon të arrijë tërheqjen e plotë të Izraelit nga territori libanez.

Nga ana tjetër, Hezbollahu ka kundërshtuar ashpër këto bisedime, duke i quajtur “lëshime të dështuara” dhe duke kërkuar konsensus të brendshëm kombëtar për çdo ndryshim politik. Lideri i Hezbollahut, Naim Qassem, ka deklaruar se negociatat me Izraelin janë të pakuptimta, pa një marrëveshje të brendshme në Liban.

Ndërkohë, pavarësisht armëpushimit, raportohen ende sulme dhe shkatërrime në zonat kufitare të Libanit jugor nga forcat izraelite, të cilat pretendojnë se po krijojnë një “zonë mbrojtëse”. Izraeli ka deklaruar gjithashtu se ka goditur objektiva që i cilëson si “terroristë” pranë Bint Jbeil, ndërsa Hezbollahu ka raportuar sulme kundër konvojeve ushtarake izraelite në kufi.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa SHBA-të po përpiqen të mbajnë të hapur kanalet e dialogut mes dy palëve në një moment shumë të ndjeshëm për rajonin.

/tvklan.al