Shtetet e Bashkuara dhe Kosova po vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin e tyre në fushën e sigurisë dhe të kontribuojnë për stabilitetin në rajon. Kjo u theksua nga Ambasada e SHBA-ve në Kosovë pas përfundimit të vizitës së ambasadorit amerikan në NATO, Matthew Whitaker, në Kosovë.

Sipas ambasadës, vizita e tij tregoi rolin gjithnjë në rritje të Kosovës në përpjekjet e SHBA-ve për të përballuar sfidat globale. Gjithashtu u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit përmes misionit të KFOR dhe Programit të Partneritetit me Gardën Kombëtare të Ajovës.

Të dy vendet, sipas njoftimit, mbeten të përkushtuara për të avancuar interesat e përbashkëta të sigurisë dhe për të forcuar stabilitetin rajonal.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Whitaker u takua me kryeministrin Albin Kurti, me ushtruesen e detyrës së presidentit Albulena Haxhiu, si dhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash. Në këto takime, fokusi kryesor ishte siguria në Kosovë dhe në rajon.

Ndërkohë, Kosova ka vendosur të marrë pjesë në një mision ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, duke planifikuar dërgimin e trupave në territorin palestinez. Ky mision është pjesë e një nisme të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump për të kontribuar në paqen globale. Kosova është ndër pesë vendet e para, së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë, që janë zotuar të marrin pjesë në këtë angazhim.

Aleanca me SHBA-të konsiderohet thelbësore për Kosovën, duke pasur parasysh rolin kyç të Washingtonit në pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit.

Aktualisht, Kosova është në proces të transformimit të Forcës së Sigurisë në ushtri dhe po forcon kapacitetet e saj me pajisje ushtarake amerikane. Po ashtu, në territorin e saj ndodhet baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan, Bondsteel.

SHBA-të vazhdojnë të mbështesin Kosovën edhe përmes trajnimit dhe edukimit të forcave të saj ushtarake. Forca e Sigurisë së Kosovës merr pjesë rregullisht në trajnime të përbashkëta me ushtrinë amerikane dhe ka një partneritet të ngushtë me Gardën Kombëtare të shtetit të Ajovës./Marrë nga REL

/tvklan.al