Një lagje me popullsi të dendur në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa u kthye në gërmadha pasi sulmet ajrore të SHBA-së shënjestruan rrethin Al-Jarraf, duke plagosur nëntë persona, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Sulmi solli shkatërrim dhe zemërim tek banorët që e përshkruan si një sulm të pajustifikuar ndaj civilëve. Bombardimet janë pjesë e një hakmarrjeje të SHBA-së për sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq nga Houthi-t e lidhur me Iranin.

Të pakënaqur nga kërcënimet e SHBA-së, Houthi-t kanë thënë se do të përshkallëzojnë sulmet e tyre, duke përfshirë Izraelin, në përgjigje të fushatës amerikane. Grupi Houthi i Jemenit ka marrë përgjegjësinë për një raketë të lëshuar në Izrael, e cila u kap nga mbrojtja ajrore.

“Raketa balistike u hodh drejt aeroportit Ben Gurion pranë Tel Avivit”, tha zëdhënësi ushtarak i grupit në një deklaratë televizive. Sirenat u dëgjuan në disa zona të Izraelit. Nuk u raportua për të lënduar.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin se do të përballet me pasoja “të rënda” nëse Houthi-t e Jemenit vazhdojnë të sulmojnë anijet.

Houthi kanë kryer mbi 100 sulme ndaj anijeve që nga fillimi i luftës së Izraelit me Hamasin, duke thënë se ata po vepronin në solidaritet me palestinezët e Gazës. Sulmet kanë ndërprerë tregtinë globale dhe kanë shtyrë ushtrinë amerikane të nisë një fushatë kundër grupit militant.

Klan News