Një tjetër vrasje është shënuar në Shtetet e Bashkuara, më 24 janar, nga agjentët federalë të Minneapolis.
Sipas informacioneve të para nga mediat e huaja, viktima dyshohet të jetë një 51-vjeçar dhe në këtë ngjarje janë të përfshirë agjentë federalë të Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave.
Ende nuk dihen rrethanat e këtij rasti, teksa Guvernatori i Minneapolis do të mbajë së shpejti një konferencë për shtyp.
Kujtojmë se më 7 janar të këtij viti, aktivistja Renee Nicole Good, u qëllua për vdekje nga një agjent i Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave, po në Mineapolis. Kjo vrasje shkaktoi reagime të forta dhe përplasje mes autoriteteve lokale dhe administratës Trump lidhur me rrethanat e ngjarjes.
Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, gruaja ishte e përfshirë në protesta dhe tentoi të shtypte me makinë agjentët e ICE-së, duke e detyruar agjentin të hapte zjarr në vetëmbrojtje. Autoritetet federale e përshkruan veprimin si “të shtëna mbrojtëse”, ndërsa konfirmuan se edhe agjenti u plagos lehtë dhe mori trajtim mjekësor.
Pas incidentit, në Minneapolis u zhvilluan protesta dhe marshime, me kërkesa për largimin e ICE-së nga qyteti. Protesta u organizuan edhe në disa qytete të tjera të SHBA-ve. Për arsye sigurie, Shkollat Publike të Minneapolis-it njoftuan pezullimin e mësimit për pjesën e mbetur të javës.
Qindra agjentë të ICE-së janë dislokuar në qytet si pjesë e fushatës mbarëkombëtare të Shtëpisë së Bardhë kundër emigracionit të paligjshëm. Autoritetet federale konfirmuan se operacionet e ICE-së do të vazhdojnë, ndërsa FBI ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Prania e shtuar e ICE-së në Minneapolis është pjesë e një operacioni më të gjerë federal kundër emigracionit të paligjshëm. Administrata Trump ka dislokuar rreth 2 mijë agjentë federalë shtesë në zonë, në kuadër të hetimeve për mashtrime me përfitime sociale dhe një fushate për zbatimin e urdhrave të dëbimit.
/tvklan.al












Botërori 2026 
