Kontrolli mbi paratë nuk është më privilegj i vetëm i qeverive. Sot, krijimi, transferimi dhe mbajtja e parasë vendoset gjithnjë e më shumë nga rrjetet digjitale dhe protokollet teknologjike jashtë autoritetit shtetëror. Në këtë fushë të re, SHBA-të dhe Kina po rivalizojnë ashpër.

Stablecoin-et, monedhat digjitale të lidhura me një valutë tradicionale, janë bërë një nga frontet kryesore të kësaj gare. Për momentin, SHBA-të kanë avantazh, duke institucionalizuar stablecoin-in në dollarë përmes ligjit GENIUS Act, që krijon një kornizë ligjore për emetimin e tyre nga banka dhe aktorë të tjerë të autorizuar, duke i kthyer në një lloj “parash digjitale të njohura dhe të besueshme”. Sipas projeksioneve, në vitet e ardhshme mund të emetohen deri në 1,75 trilionë dollarë në stablecoin-e, duke fuqizuar rolin global të dollarit.

Kina, nga ana tjetër, është e ndarë midis frikës për humbjen e kontrollit mbi kapitalet dhe dëshirës për të përdorur të njëjtat mjete për të rritur përdorimin ndërkombëtar të juanit. Projekti i monedhës digjitale kineze, e-CNY, nuk ka pasur suksesin e pritur në përdorimin e përditshëm, duke u tejkaluar nga platformat private si Alipay dhe WeChat Pay. Për këtë arsye, Hong Kongu po shërben si laborator për stablecoin-in në juan offshore, me një regjim licencash të rregulluar, ndërsa Kina kontinental vazhdon të ndalojë pothuajse të gjitha kriptovalutat.

Ekspertët nënvizojnë se stablecoin-et në dollarë, sidomos ato të emetuara nga bankat amerikane, mund të sfidojnë sistemin financiar kinez: Ofrojnë mënyra të lira pagese në dollarë për eksportuesit, krijojnë rrjete alternative që shmangin kontrollin e kapitalit dhe, në afat të gjatë, mund të zëvendësojnë juanin në shumë transaksione, duke dobësuar sovranitetin monetar të Pekinit.

Në tregun global, peshat janë të qarta: Mbi 99% e stablecoin-eve të emetuara janë në dollarë, ndërsa juanin e përdorin rreth 4% e transaksioneve globale. Në këtë sfidë, SHBA-të po privatizojnë pjesërisht rolin e dollarit, duke e përhapur në mënyrë të rregulluar përmes blockchain-et, ndërsa Kina tenton të kombinojë kontrollin shtetëror me eksperimente të kufizuara të stablecoin-it në Hong Kong.

Ndërkohë, Bitcoin po përjeton një korrigjim të fortë: nga tetori deri në dhjetor 2025, çmimi ka rënë nga mbi 120 mijë dollarë në rreth 85 mijë–90 mijë, për shkak të pasigurisë financiare, avantazhit të lartë dhe likuidimeve të detyruara. Analistët nënvizojnë se kjo tregon diferencën mes stablecoin-eve të rregulluara dhe kriptomonedhave spekulative si Bitcoin.

Përfundimisht, gara SHBA–Kina për monedhat digjitale është një betejë jo vetëm teknologjike, por edhe gjeopolitike: Një dollar më “digjital” dhe i rregulluar kundër një juani digjital të kontrolluar nga shteti, me pasoja të mëdha për tregjet globale dhe sovranitetin monetar.

Shkrim nga Corriere della Sera

/tvklan.al