Këshilli i Ministrave miratoi disa ndryshime në ligjin “Për urdhrin e mjekëve” në Republikën e Shqipërisë.

Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu tha se këto ndryshime u bënë për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve, dhe se në bazë të ndryshimeve do bëhet publike lista e mjekëve që punojnë në sektorin publik dhe atë privat për të shmangur konfliktin e interesit.

Albana Koçiu, ministre e Shëndetësisë: Miratimi i një regjistri elektronik publik, i cili do të garantojë akoma më shumë transparencë për këdo profesionist të shëndetësisë që punon në strukturat publike shëndetësore lidhur me punësimin e tij publikisht dhe privatisht. Ndërkohë nga ana tjetër kemi vendosur edhe një tavan të orëve të punës për të cilat një mjek që punon në sektorin publik mund të  angazhohet dhe të punojë privatisht.

Sipas ministres Koçiu mjekët që kanë pozicione drejtuese nuk do lejohen të punojnë në klinika private.

Albana Koçiu, ministre e Shëndetësisë: Drejtuesit e strukturave publike shëndetësore e kanë të ndaluar të kenë edhe klinika private dhe t’i drejtojnë ato klinika private, duke qenë titullarë njëkohësisht edhe në strukturat spitalore shtetërore dhe në strukturat e tyre private.

Në ndryshimet ligjore parashikohen edhe masa administrative për çdo shkelje të bluzave të bardha. Këto ndryshime erdhën pas skandalit që ndodhi në Spitalin Onkologjik që pacientët i drejtonin drejt klinikave private.

Klan News