Amerikanët pretendojnë se udhëheqësi i ri suprem i Iranit është i plagosur dhe me shumë gjasa i shpërfytyruar. Në një konferencë, sekretari i luftës Pete Hegseth u tha gazetarëve se e gjithë udhëheqja iraniane është në arrati.
“Udhëheqja e Iranit nuk është në gjendje të mirë. Të dëshpëruar dhe të fshehur, ata po struken. Kjo është ajo që bëjnë minjtë. Ne e dimë që udhëheqësi i ri i ashtuquajtur jo aq suprem është i plagosur dhe me shumë gjasa i shpërfytyruar. Ai lëshoi një deklaratë të dobët, në fakt, por nuk kishte zë dhe nuk kishte video. Ishte një deklaratë me shkrim. Ai bëri thirrje për unitet; me sa duket, vrasja e dhjetëra mijëra protestuesve është lloji i tij i unitetit. Irani ka shumë kamera dhe shumë regjistrues zëri. Pse një deklaratë me shkrim?”
Në daljen informuese për rezultatet e luftës në Iran, sekretari Hegseth foli për numrin më të lartë të sulmeve amerikane deri më tani kundër objektivave iraniane. Qëllimi i operacionit ushtarak mbetet asgjësimi i plotë i kapaciteteve luftuese të Iranit, përfshirë edhe marinën.
“E vetmja gjë që ndalon tranzitin në ngushticë tani është që Irani të qëllojë anijet. Tani, ka një arsye pse zgjodhëm, si një nga objektivat tanë kryesorë, të shkatërrojmë marinën. Ne e kuptuam që aftësia për të ndaluar anijet është diçka që Irani e ka bërë për 40 vjet. Është terren kyç. Ata e kanë përdorur atë si levë. Pra, kemi një plan për çdo opsion këtu.”
Ajatollahu i ri paralajmëroi një bllokim të Ngushticës së Hormuzit në mesazhin e tij të parë televiziv.
Për këtë çështje, në një intervistë për Fox News, presidenti Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të shoqëronin anijet përmes Ngushticës së Hormuzit nëse do të ishte e nevojshme, por shtoi se do ta godiste Iranin shumë fort gjatë javës së ardhshme.
Pavarësisht paralajmërimit, turma të mëdha njerëzish u mblodhën për të shënuar Ditën e Al-Kudsit në Teheran.
Një grua është vrarë në një sulm gjatë marshimit, raportuan mediat shtetërore iraniane, teksa një shpërthim i madh ka ndodhur në zonën e sheshit “Ferdoësi”, epiqendra e demonstratave. Disa personalitete të larta iraniane u bënë pjesë e marshimit, përfshirë presidentin Masoud Pezeshkian, i cili u shfaq duke përshëndetur dhe takuar zyrtarë të ndryshëm.
Demonstruesit brohoritën: “Vdekje Izraelit!” dhe “Vdekje Amerikës”, ndërsa dogjën flamujt e tyre.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
