Shega është fruti me të cilin identifikohet Lezha. Shumë banorë e ruajnë traditën dhe merren me këtë kulturë. Kamera e Klan News ka qenë në një prej plantacioneve të mbjella me shegë.
Një traditë e vjetër në këtë qytet, që ruhet ende sot, ku banorë të zonës kultivojnë shegën. Sipërfaqet e mbjella me këtë frut janë të shumta në Lezhë.
Fermerin Nik Gila e gjejmë në plantacionin e mbjellë me shegë. Ai çdo ditë punon në këtë sipërfaqe. Pavarësisht se ka dalë në pension, nuk e ka braktisur shegën. Në këtë sipërfaqe janë të mbjella rreth 1 mijë rrënjë, ndërsa familja Gila eksperiencën e fituar në Greqi po e shfrytëzon për të kultivuar shegën.
Ky fermer merret me kultivimin e shegës prej vitesh. Këtu kalon pjesën më të madhe të ditës duke u marrë me çfarë ka nevojë ky frut. Thotë se puna është e vështirë. Për ta ndihmuar, nuk merr as punëtorë për shkak të kostove të larta.
Një prej problemeve kryesore është vaditja. Kjo verë ishte e vështirë për shkak të temperaturave të larta dhe thatësirës së tejzgjatur.
Kultivuesit e shegës kanë vështirësi edhe me gjetjen e tregut. Ky frut nuk shkon për eksport për shkak të mungesës së kontratave me grumbulluesit. Për këtë arsye, prodhimi shkon në tregun vendas. Interes nuk tregojnë vetëm banorë të zonës, por edhe banorë nga qytete të tjera të vendit. Më shumë interes ka për ta tregtuar shegën si lëng.
Shega zë një pjesë të rëndësishme në gastronominë e Lezhës. Me të realizohen gatime të ndryshme dhe shija e tyre tërheq shumë vizitorë. Për Lezhën, kultivimi i shegës është ruajtja e traditës që shkon nga toka te tryeza.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 