“Çdo deputet i Kuvendit ka të drejtën dhe mundësinë të lexojë plotësisht marrëveshjen vetëm 5 metra larg nga kjo sallë, tek salla “Gerti Bogdani”, ku është vënë në dispozicion  marrëveshja për t’u lexuar, kundrejt natyrisht firmosjes së një deklarate konfidencialiteti.”

Menjëherë pas kësaj deklarate të kryeparlamentarit Niko Peleshi, deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj u paraqit në sallën “Gerti Bogdani” për t’u njohur me detajet e marrëveshjes për huanë prej 302 milionë dollarësh mes qeverisë shqiptare dhe Shteteve të Bashkuara.

Në këtë video të publikuar nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, shihet Shehaj që largohet me vrap me dokumentin konfidencial nga salla që ishte vënë në dispozicion të deputetëve për t’u lexuar, një akt që për Ballën është në kundërshtim me ligjin.

“Agron Shehaj duhet arrestuar në flagrancë për shkelje të ligjit. Hajduti i të dhënave personale të shqiptarëve tani ka nisur të vjedhë edhe dokumentet e Kuvendit. Kur mungojnë argumentet, mbeten vetëm vjedhja e dokumenteve të klasifikuara dhe dëshpërimi. Agresioni ndaj një punonjëseje të administratës është gjithashtu një vepër penale”, tha Taulant Balla.

Por Shehaj thotë se marrëveshja nuk ka dalë jashtë ambienteve të Kuvendit.

“Kryetari i Kuvendit tha se mund ta gjeni tek zyra këtu afër, nuk tha se nuk mund ta merrni. Unë vajta, firmosa deklaratën për mosshpërndarje të marrëveshjes dhe u largova. Shumë e thjeshtë, kjo ka ndodhur. Marrëveshjen e dorëzova prapë në Kuvend, nuk ka dalë kurrë marrëveshja nga Kuvendi i Shqipërisë”, u shpreh Agron Shehaj.

Për këtë akt, Partia Socialiste kërkoi që ndaj Shehaj të merret masa e përjashtimit me 60 ditë nga komisionet parlamentare dhe seancat plenare, me argumentin se ka marrë me forcë materialin, se këshilltarja e Kuvendit në përpjekje për ta ndaluar është rrëzuar nga shkallët dhe ka pësuar lëndime. Gjithashtu, PS i kërkon Kuvendit ta referojë rastin edhe në SPAK me dyshimin se ai ka kryer 5 vepra penale që cenojnë sigurinë kombëtare.

Klan News

/tvklan.al