IKMT, e mbështetur nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, përmbylli aksionin për prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje në vijën bregdetare të plazhit të Velipojës.

Policia ka njoftuar se gjatë punës, një grup personash tentuan të bllokonin aksionin. Në një komunikim për mediat, uniformat blu thonë se i bënë disa herë thirrje këtyre personave që të mos pengonin punonjësit e IKMT-së dhe të Policisë së Shtetit në kryerjen e detyrës, por ata kundërshtuan forcërisht lirimin e hapësirës ku do të operohej.

“Në këto kushte shërbimet e FNSH-së, të Forcës së Posaçme Shqiponja dhe ato të Postës së Policisë Velipojë larguan forcërisht të gjithë personat dhe IKMT-ja vazhdoi punën, duke shembur 24 objekte të paligjshme gjatë gjithë vijës bregdetare të Velipojës”, thuhej në njoftim.

Strukturat e Policisë Shkodër kryen veprimet procedurale dhe materialet u refruan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në ngarkim të 6 shtetasve, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”./tvklan.al