Baza e Mbështetjes dhe Emergjencave Civile (BMEC) shënon 39-vjetorin e krijimit, ndërsa këtë sezon veror ka qenë në qendër të operacioneve për përballimin e situatës së zjarreve në vend.
Me rastin e 39-vjetorit të krijimit të kësaj strukture, Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, vizitoi Bazën e Mbështetjes së Emergjencave Civile, pjesë e Komandës Mbështetëse të Ministrisë së Mbrojtjes.
Gjatë vizitës, ministri vlerësoi punën dhe angazhimin e efektivëve të BMEC gjatë një sezoni të vështirë për shkak të zjarreve që kanë përfshirë zona të ndryshme të territorit.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Mbrojtjes, gjatë periudhës prill-gusht 2026, BMEC ka zhvilluar 54 operacione për shuarjen e zjarreve, ku janë angazhuar mbi 1 mijë e 500 efektivë dhe janë përdorur më shumë se 180 mjete.
“Kjo strukturë vazhdon të ngelet struktura operacionale, e cila është shtylla kurrizore e të gjithë veprimtarisë së mbështetjes në rastin e emergjencave civile, apo fatkeqësive natyrore në territorin e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh ministri Nufi.
Ministri i Mbrojtjes shprehu gjithashtu mirënjohjen për efektivët që kanë qenë në terren dhe në vijën e parë të përballjes me flakët gjatë muajve të verës.
“Jam krenar për përkushtimin e tyre, mirënjohës gjithësecilit prej tyre që ka qenë në vijën e parë të luftës kundër zjarreve në këtë sezon veror kaq të vështirë”, deklaroi Nufi.
BMEC vijon të konsiderohet një prej strukturave kyçe në organizimin dhe mbështetjen e operacioneve të emergjencave civile. Baza siguron kapacitete njerëzore, logjistike dhe operacionale për përballimin e situatave të jashtëzakonshme dhe fatkeqësive natyrore në të gjithë territorin e Shqipërisë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
