Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është raportuar rasti i parë i vdekjes së një qytetari të infektuar me koronavirus. Ngjarja është regjistruar në veriperëndim të Uashingtonit.

Presidenti Donald Trump, i cili reagoi për këtë ngjarje, tha se viktima ishte një grua rreth të 50-ve. Identiteti i viktimës nuk është bërë i ditur, por kreu i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi se ekziston mundësi që të shfaqen edhe raste të tjera të pacientëve me koronavirus, por shtoi se “SHBA është e përgatitur për çdo situatë”.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se kanë kufizuar së tepërmi udhëtimet në Iran, një nga vendet më të prekura me koronavirus. Po kështu, qytetarët amerikanë janë udhëzuar që të shmangin udhëtimet në zonat e Italisë të prekura nga koronavirusi, si dhe në Korenë e Jugut.

Më shumë se 85 mijë vetë në të gjithë botën janë infektuar nga virusi, dhe sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanë vdekur 3 mijë persona. Pjesa më e madhe e rasteve janë në Kinë, aty ku dhe shpërtheu koronavirusi. /tvklan.al