Ekonomia shqiptare në tremujorin e katërt të vitit 2025 konfirmoi një prirje të qartë me një rritje që mbështetet kryesisht nga shërbimet, ndërsa prodhimi i të mirave mbetet i dobët. Sipas të dhënave të INSTAT, sektori i shërbimeve regjistroi rritje të ndjeshme në disa degë kyçe. Aktivitetet e pasurive të paluajtshme kryesojnë me një rritje prej 36.4%, ndërsa hotelet u rritën me 12.3% dhe baret e restorantet me 7.1%. Këto shifra tregojnë ndikimin e fortë të turizmit dhe investimeve në pasuri të paluajtshme.

Nga ana tjetër, informacioni dhe komunikacioni shënoi rënie prej 1.4%, duke sinjalizuar një ngadalësim në sektorët më teknologjikë të ekonomisë. Ndërkohë, tregu i punës në shërbime paraqitet më i qëndrueshëm, me rritje të punësimit në tregti dhe hotele, ndërsa pagat u rritën ndjeshëm, veçanërisht në sektorin hotelier me mbi 22%.

Në kontrast, prodhuesit e të mirave paraqesin një panoramë më të dobët. Industria shënoi rënie të shitjeve me 2%, ndërsa energjia elektrike pësoi një tkurrje edhe më të fortë prej 10%. Ndërtimi vijon të jetë një nga shtyllat kryesore të rritjes, me rritje të shitjeve dhe punësimit, duke reflektuar kërkesën e lartë për investime dhe zhvillim urban.

Në tërësi, të dhënat tregojnë një ekonomi me dy ritme, ku shërbimet dhe ndërtimi shtyjnë rritjen, ndërsa industria mbetet sfida kryesore për një zhvillim më të balancuar.

Tv Klan

/tvklan.al