Shërbimet spanjolle të inteligjencës paralajmëruan për thirrjet në mediat sociale për një kalim masiv të emigrantëve në Ceuta një ditë para se dhjetëra mijëra njerëz të hynin në territor.
BBC raporton se dokumentet qeveritare të zbuluara së fundi, tregojnë se më 29 korrik Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës i Spanjës (CNI) u tha autoriteteve marokene dhe të Ceutës se grupet e mediave sociale po i inkurajonin emigrantët të kalonin në territor.
Shërbimi i Inteligjencës raportoi se rreth 180,000 njerëz po merrnin mesazhet, njëra prej të cilave shkruante: “Kushdo që dëshiron të kalojë ka shansin e fundit në Ditën e Fronit, 30 korrik, në orën 8, autoritetet do të shpërqendrohen nga festimet dhe paradat”.
Kryeministri Pedro Sánchez ka këmbëngulur se ngjarjet e 30 korrikut ishin të pamundura për t’u parashikuar, por partitë e opozitës thonë se dokumentet tregojnë se qeveria i mashtroi spanjollët.
Të paktën 72,000 emigrantë kaluan nga Maroku në Ceuta më 30 dhe 31 korrik.
Edhe pse shumica janë kthyer, deri në 5,000 prej tyre mbeten në kampe të improvizuara ose flenë në rrugët dhe plazhet e qytetit.
Një burim qeveritar tha për BBC se dokumentet e publikuara “treguan se informacioni i disponueshëm para kalimit masiv nuk e bëri të mundur parashikimin e shkallës që do të arrinte kriza ose përgatitjen e përgjigjes së nevojshme”.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 