Një incident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje në një shkollë në Durrës, ku një grup nxënësish janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, dhe si pasojë njëri prej tyre ka mbetur i lënduar lehtë.

Gazetarja e Klan News Enkeleda Arapi bën me dije se ngjarja ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare ‘Shën Vlash’ Durrës, ku tre adoleshentët janë konfliktuar me njëri-tjetrin duke përdorur dhe mjete të mprehta. Fatmirësisht askush s’ka mbetur i dëmtuar rëndë, vetëm njëri prej të miturve ka një dëmtim në vetull.

Fillimisht ka ndërhyrë oficeri i sigurisë së shkollës, ndërsa është njoftuar policia, e cila ndodhet në vendin e ngjarjes për të menaxhuar situatën.

“Rreth orës 09:30, në shkollën e fshatin Shënavlash, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin disa nxënës të moshave 15, 16 dhe 17 vjeç. Me ndërhyrjen e mënjehershme të oficerit të sigurisë dhe stafit pedagogjik, është parandaluar përshkallëzimi i konfliktit. Nga konflikti është dëmtuar lehtë një 15-vjeçar.”, bën me dije Policia.

Uniformat blu i kanë shoqëruar të miturit në ambientet e Komisariatit të Policisë, për veprime të mëtejshme.

Të gjitha veprimet po kryhen në drejtimin e Prokurorisë, në prani të psikologut, përfaqësuesit ligjor, oficerit të sigurisë, përfaqësuesit të stafit pedagogjik dhe prindërve të nxënësve.

/tvklan.al