Të shtënat me armë zjarri tronditën Shkodrën këtë të enjte, 4 dhjetor, ndonëse fatmirësisht ishin në ajër… Një konflikt mes dy të rinjve u bë shkak që njëri prej tyre ta kërcënonte tjetrin duke qëlluar me automatik në ajër. Ngjarja, sipas policisë, ndodhi në lagjen “Tre Heronjtë”. Autor i dyshuar i ngjarjes është një 26‑vjeçar, i cili u vu në pranga pak kohë pas të shtënave. Policia po ashtu mundi të gjejë edhe armën. Hetimet për ngjarjen vijojnë.

“Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë, u bë e mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit A. Sh., 26 vjeç. Nga veprimet e para procedurale, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. Sh. ka kanosur shtetasin Xh. G., 20 vjeç, duke qëlluar me armë zjarri, automatik, në ajër. Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur edhe gjetjen e armës së zjarrit me të cilën dyshohet se 26‑vjeçari qëlloi në ajër gjatë konfliktit. Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit”, thuhet në një njoftim për mediat të Policisë së Shkodrës.

/tvklan.al