Të ftuar:
Sheki Useini – mjeshtër meditimi
Kristiana Çelaj
Lorela Garuli – psikologe
Gazetare: Agida Koçi
#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.
2 receta nga Znj. Vjollca
Ëmbëlsira e butë me limon, vetëm me 4 përbërës
3 vezë (të mëdha)
1 kuti qumësht të kondensuar
200 gr miell
1 pako pluhur pjekës
2 lgj lëng limoni
2 lç lëkurë limoni
Për mbulesën e ëmbëlsirës
1 gotë e vogël sheqer pluhur
2 lgj lëng limoni
Përziejmë vezët në një tas. Shtojmë qumështin e kondensuar dhe i përziejmë. Shtojmë miellin, pluhur pjekës dhe vazhdojmë përzierjen me tel dore duke shtuar në fund 2 lugë gjelle lëng limoni dhe lëkurën e limonit. I përziejmë mirë duke formuar një brumë të rrjedhshëm jo të fortë. Vendosim një letër pjekje në një tavë të vogël drejtkëndëshe dhe e vendosim ëmbëlsirën në furrë në temperaturë 165-170 gradë për 40-45 minuta. Pasi e nxjerrim nga furra e lëmë të ftohet. Mbushim një gotë 150 ml me sheqer pluhur, e vendosim në një tas ku shtojmë 2 lgj lëng limoni. I përziejmë deri sa sheqeri pluhur dhe lëngu i limonit formojnë një salcë të bardhë të cilën e shtojmë në sipërfaqen e ëmbëlsirës vetëm pasi ëmbëlsira të ftohet.
Supë magjericë
500 gr të brendshme qingji
Vaj ulliri
1 lgj gjalpë
5-6 qepë të njoma
2 hudhra të njoma
1 filxhan oriz (4-5 lgj)
2 të verdha veze
Lëngu i gjysmë limoni
Lëkurë limoni
Kripë dhe piper i zi
1 lgj uthull
Majdanoz dhe kopër
Gjethe sallate sipas dëshirës
Vendosim në zjarr një tenxhere me ujë të valuar. Shtojmë të brendshmet e qingjit të pastruara mirë. I lëmë të brendshmet të ziejnë vetëm për 9 minuta. Më pas i kullojmë, i lëmë të bjerë temperatura dhe më pas i presim mëlçitë në kubikë të vegjël. Vendosim në zjarr një tenxhere me një lugë gjelle gjalpë, vaj ulliri dhe kaurdisim qepët e njoma të prera në unaza të holla, po ashtu dhe hudhrat e njoma. Kur shohim që qepët të zbuten shtojmë të brendshmet të prera në kubikë dhe i përziejmë së bashku me qepët e hudhrat për 5 minuta në temperaturë mesatare. Shtojmë 1,2 litër ujë ose lëng mishi dhe i lëmë mëlçitë të ziejnë për 5 minuta e më pas shtojmë orizin të shpëlarë mirë dhe i lëmë të gjithë përbërësit të ziejnë për 15 minuta. Rregullojmë shijen me kripë. Përziejmë vezët me lëngun e limonit dhe presim supën me vezë dhe limon. Në fund shtojmë erëzat e freskëta kopër, majdanoz të grira hollë. Shtojmë dhe 1 lugë çaji lëkurë limoni. Mund të shtoni dhe disa gjethe sallatë marule dhe 1 lugë gjelle uthull molle. Kur e shërbejmë, i japim shije me piper të zi dhe vaj ulliri.
Fuqia e të qenit i qetë në një botë që vrapon
Si të ruajmë qetësinë në situata tensioni