Të ftuar:
Edit Mihali
Artion Vreto: Gazetar
Erilanda Bakalli: Instruktore palestre
Entela Isufi: Psikologe
Gazetare: Ermelinda Ndoja
#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.
2 receta nga Znj. Vjollca
Pure me pulë dhe perime në furrë
500 gr gjoks pule TIK TIK
4 lugë gjelle vaj
1 lugë gjelle gjalp
1 qepë
2 thelpinj hudhra + kërpudha ( opsionale )
2 speca jeshil
2 domate mesatare
1 lugë çaj salcë domate
Kripë + piper të zi
1 lugë çaj piper të kuq
Trumzë
- Për purenë
4 patate
1 lugë gjelle gjalp
Kripë + arrë moskat
50 ml qumësht
-Beshamel
1 lugë gjelle gjalp
1 lugë gjelle miell
250 ml qumësht
-Në pjekje
150 gr djathë
10 domate qershi
2 lugë gjelle majdanoz
Fillimisht ziejmë patatet të qeruara dhe të prera në copa të mëdha për 25 min me pak kripë. Më pas i kullojmë, i kthejmë në pure dhe shtojmë në tenxhere ku do të shtojmë pak qumësht, gjalp, arrë moskat. Në një tigan me pak vaj dhe gjalp, kaurdisim mishin në kubik të vegjël. Shtojmë në të pak qepë, hudhrat + kërpudhat + specat, domatet e qeruara nga lëkura, salcën dhe ekstrakt + kripë. I kalojmë perimet sa të gatuhen plotësisht. Ndërkohë përgatisim beshamelin si zakonisht. Në një tavë mesatare ose në tavë vogël personale qeramik. Vendosim si bazë purenë mbi të cilen nivelojmë mishin dhe perimet. I mbulojmë këto të gjitha me pak beshamel, një shtresë të hollë. Spërkasim sipërfaqen me djathë dhe mbi të vendosim gjysmen e domates qershi për shije. E pjekim në furrë në temperaturen 190 gradë për 20-25 min. Pasi e nxjerrim nga furra e spërkasim me pak majdanoz dhe e sherbejmë të ngrohtë.
Hallvë me arra
Njësi matëse gotë 200 ml
1 gotë miell ( rreth 150 gr )
1 filxhan kafeje vaj vegjetal ( rreth 80 ml )
1.5 lugë gjelle gjalp ( 20 gr )
1 filxhan kafeje arra të grira ( 60 gr )
-Shërbeti
3/4 gotë sheqer ( 150 gr )
1.5 gotë ujë ( 300 ml )
5-6 copë karafil
Fillimisht në një enë zjarrduruese vendosim ujë të ftohtë + sheqerin + karafilin dhe i vendosim në zjarr mesatar duke i përzierë derisa sheqeri të shkrijë dhe karafili të aromatizojë sherbetin. Ndërkohë në një tigan të thelle vendosim vajin dhe miellin dhe fillojmë të skuqim miellin. Sa të fillojë mielli të ziejë në vaj shtojmë gjalpin dhe vazhdojmë përzierjen në temperature nën mesatare derisa mielli të marrë ngjyrë të artë sipas preferences tuaj. Shtojmë sherbetin dhe e përziejmë pa ndërprerje derisa sherbeti asimilohet nga mielli i skuqur. Shtojmë arrat dhe vazhdojmë pjekjen e hallves në temperature të ulët derisa ajo të shkëputet nga luga. Fikim soben dhe servirim hallven me format që dëshironi me lugë apo diçka tjetër që dëshironi.
Ndikimi i viteve në ndryshimet fizike dhe psikologjike të njeriut
“Traumë e paimagjinueshme”, vuajtja më e madhe profesionale e Edit Mihalit
Evoluimi i jetës së secilit prej nesh përcaktohet nga ndryshimet e pashmangshme fizike dhe psikologjike që reflektojnë edhe përshtatjen ndaj rrethanave. Të ftuarit e programit “Shije Shtëpie” në Tv Klan shpjeguan sfidat fizike që vijnë me moshën, problemet e shëndetit, ndikimin e stilit të jetesës dhe aktivitetit fizik.
Njëkohësisht, emocionet, mendimet dhe gjykimi përgjatë jetës ndryshon. Në rini mbizotëron pasiguria, dëshira për të provuar gjëra të reja, pavendosmëria, ndërsa në moshë të rritur jemi më të gatshëm për të ndërmarrë përgjegjësi, kurse profesioni e marrëdhëniet bëhen më të rëndësishme.
Sigurisht, rrugëtimi nuk është linear dhe ka disa kthesa të forta, mbase edhe traumatike që lënë gjurmë. Edit Mihali ndau përjetimin e saj për këtë aspekt, duke e lidhur gjithnjë me profesionin. Trauma e saj më e madhe profesionale, të cilën s’heziton ta pranojë është largimi nga skena. Ajo thotë se ka pasur një kërkesë për t’u rikthyer, por përgjigjja i ka qëndruar fort besimit te dinjiteti artistik e njerëzor.
“Për një artist të skenës, për një njeri të skenës, për një personazh të skenës, vuajtja më e madhe në profesion është kur ti nuk del më në skenë. Ajo është e paimagjinueshme, e papërshkrueshme dhe e pakuptueshme nga të tjerët. Ajo është trauma e parë që merr, por ajo do atë forcën që në fund të fundit kjo është për të gjithë, mosha është për të gjithë dhe çdo fillim ka edhe një fund. Në një moment ishim po këtu në Klan, tek Arditi dhe mua më merrte malli që t’i thoja nuk do të dalësh në skenë, me këngën, me këtë dhe ashtu e ndërsjellë më erdhi një person dhe më tha, ‘Edit, kemi qejf të dalësh’, dëgjo i thashë, duhet të dalësh e dëshiruar, jo e mëshiruar kështu që duhet lënë në kohën e duhur, por do edhe forcën tjetër që ti t’ia gjesh vetes. Prandaj them që është ai fati që ti ke mundësi ta japësh profesionin tënd, por trauma do një forcë të jashtëzakonshme për ta kaluar, do edhe rrethin familjar. Dikush mund të të bëjë të vuash, por dikush mund të të thotë shiko se ke edhe mundësi të tjera”, përfundoi Edit Mihali.