#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj.Vollca

Bishtaja jeshile me mish të grirë dhe patate

700 gr bishtaja jeshile
300 gr mish të grirë(sipas dëshirës)
1 qepë
2 thelpinj hudhra
2 karrota të vogla
1 lgj salcë domate
2 domate mesatare
600 ml ujë
3 patate mesatare
2 lgj majdanoz të grirë hollë
Vaj
Kripë dhe piper i zi

Fillimisht në një tenxhere ngrohim vajin dhe kaurdisim në të qepën dhe hudhrat për 3 minuta. Shtojmë mishin e grirë dhe vazhdojmë përzierjen së bashku deri sa mishi ndryshon ngjyrë dhe qepa është zbutur. Shtojmë pure domate ose salcë domate. E përziejmë sa të marrë valë e më pas shtojmë bishtajat e pastruara e të prera me gjatësi 3 cm. I përziejmë vazhdimisht deri sa shohim që kanë ulur volumin.

Shtojmë ujin në një nivel me bishtajat dhe i lëmë ato të ziejnë për 10 minuta. Më pas shtojmë patatet në kubikë me brinjë 2 cm dhe nëse dëshironi 1 ose 2 karrota mesatare. I përziejmë, shtojmë kripë dhe i lëmë të gjithë përbërësit në tenxhere për të zier 20-25 minuta. E lëmë gjellën të pushojë për 15 minuta e më pas e shërbejmë të ngrohtë.

Kek me kokos

2 vezë
160 gr sheqer
100 ml vaj vegjetal
150 ml qumësht
230 gr miell për kek
50 gr kokos i thërrmuar
10 gr pluhur pjekës
1 majë kripë
Vanilje
Për dekorin
Qumësht i kondensuar ose çokokrem
3 lgj arrë kokosi të thërrmuar

Në një tas vendosim 2 vezë të plota, pak kripë dhe fillojmë të përziejmë mirë vezët. Shtojmë sheqerin dhe vaniljen dhe vazhdojmë përzierjen deri sa sheqeri të shkrijë. Shtojmë vajin, e përziejmë dhe vazhdojmë duke shtuar më pas qumështin dhe i përziejmë mirë të gjithë përbërësit. Shtojmë miellin së bashku me pluhurin pjekës. I përziejmë mirë e së fundmi shtojmë dhe arrën e kokosit të thërrmuar. E përziejmë mirë.

Në një tavë të vogël 22 cm ku kemi shtruar letër pjekje nivelojmë brumin e kekut dhe e vendosim në furrë për ta pjekur në temperaturë 180 gradë për 35-40 minuta. Pasi keku të jetë pjekur, e lëmë të ftohet e më pas lyejmë sipërfaqen me pak qumësht të kondensuar ose çokokrem dhe në fund e pudrosim përsëri me arrë kokosi të thërrmuar e më pas e shërbejmë.

Çfarë do të thotë të jesh fans i zjarrtë i dikujt?

Çfarë emocioni ndiejmë kur takojmë idhullin tonë

“Grand Sale” në Comodita Home! Nxitoni të kapni uljet e mëdha