Të ftuar:

Genta Gjalpi -blogere

Iva Kalemi – gazetare

Bruno Pollogati – këngëtar

Skerdi Faria – kirurg

Gazetare: Ermelinda Ndoja

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj.Vjollca

Qofte me spinaq me krem djathi në furrë

600 gr spinaq

300 gr gjizë ( pa kripë )

50 gr parmixhan

1 lgj miell

2 lgj bukë e thekur e grirë

1 tufë kopër

1 vezë

Kripë dhe arrë moskat

Salca

400 ml krem pana

150 ml qumësht

150gr djathë guda

4 lugë gjellë kaçkavall (parmixhano)

Fillimisht pastrojmë spinaqin dhe e vendosim në një tigan. E kaurdisim për 2 minuta sa të ulim volumin. E vendosim në një kullesë të kullojë ujin dhe më pas e  përziejmë me duar derisa të largohet lagështira. E grijmë vrazhdë, e vendosim në një tas dhe më pas do të shtojmë gjizën, parmixhanon e grirë. Një lugë gjellë miell, bukën e thekur të grirë, vezën, kopër, kripë dhe arrë moskat. Të gjithë këto përbërës i përziejmë së bashku duke formuar një masë të lëshuar.

Formojmë qofte me formë mesatare, jo të vogla dhe i vendosim në një tepsi të lyer me vaj. Me ndihmën e një furcde lyejmë dhe qoftet me pak vaj. I vendosim në furrë në temperaturën 180 gradë për 15 minuta sa të zverdhen lehtë.

Ndërkohë në një tigan përgatisimi salcën me kremin pana, qumësht në temperaturë mesatare sa pana të ngrohet ( jo të valojë.) Shtojmë djathin guda duke e përzierë vazhdimisht. kur shohim që djathi fillon të shkrijë shtojmë parmixhanin. Bëjmë përzierjen derisa salca të lidhet, të bëhet kremoze dhe të trashet. Fikim zjarrin dhe rregullojmë shijen me kripë. Nëse qoftet janë zverdhur i nxjerrim nga furra. Shtojmë salcën dhe i vendosim përsëri në furrë në po atë temperaturë 180 gradë për 7-8 minuta. Pasi i nxjerrim nga furra janë gati për t’u shërbyer.

Puding me kungull të verdhë

200 gr kungull të verdhë (të ëmbël)

1 gotë qumësht (200 ml)

1 filxhan kafeje pana ëmbëlsirë

2 lgj sheqer

2 vezë

1 lç rum

½ lç vanilje

Shurup panje, mjaltë ose karamel për servirje

Pastrojmë kungullin nga lëkura. Presim tulin në kubikë dhe me pak ujë e vendosim në një tigan të valuar derisa kungulli të zbutet. E kullojmë në kullesë e më pas e vendosim në një blender. I shtojmë sheqerin, gjysmën e qumështit dhe e kthejmë kungullin në pure dhe sheqerin të shkrijë. Shtojmë pjesën tjetër të qumështit, panën, vezët, rumin, vaniljen dhe i kalojmë për pak sekonda përsëri në blender. Pasi i përziejmë mirë kalojmë kremin e përgatitur në një sitë. Mbushim tasat e vegjël si të krem karamelit.

Në një tigan vendosim letër kuzhine. Mbi të vendosim tasat e mbushur me puding. Shtojmë në tigan ujë të nxehtë. Mbulojmë tasat me letër alumini. E lëmë kapakun e tiganit pak të hapur dhe e lëmë të gatuhet ne temperaturë mesatare për 25-30 minuta derisa shohim që anët e pudingut shkëputen nga tasi. Pasi të kalojë kjo kohë vendosim tasat në një tabaka i lëmë sa të ftohen në temperaturë ambienti. Më pas i vendosim në frigorifer. Në fund e shërbejmë duke shtuar në tas një sipërfaqe të pudingut, shurup panje ose pak mjaltë/karamel që përgatitet vetë.

Feminizimi i mashkullit modern

“Partner? S’bëhet fjalë”, Genta Gjalpi: Meshkuj që bëjnë buzët e qerpikët…

Kujdesi ndaj vetes është një industri e tërë që merret me imazhin dhe paraqitjen fizike të çdokujt. Deri më tani, më të tërhequrat pas saj kanë qenë femrat, të cilat janë përpjekur gjithnjë të kurojnë veten në çdo detaj. Vitet e fundit, është vënë re se meshkujt kanë shfaqur një interes të shtuar në kujdesin e tyre personal, qoftë nga veshja, ndërhyrje të vogla apo mirëmbajtje estetike.

Në panelin e ftuar sot në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, mes Genta Gjalpit, Iva Kalemit, Skerdi Farias dhe Bruno Pollogatit, ndërsa diskutohej kjo temë, pati edhe qëndrime të prera lidhur me të. Genta Gjalpi thotë se nuk do e pranonte dot një partner të tillë.

Genta Gjalpi: Dikush që e mban veten, po. Dikush që bën buzët dhe qerpikët, absolutisht jo. Edhe meshkuj që vishen me mëndafsh, me rozë, me çanta të vogla rozë…

Katerina Trungu: Po, ka plot, po.

Genta Gjalpi: Okej, ata le të jenë, mua syri im nuk e pëlqen.

Katerina Trungu: Nuk do e pranoje një partner të tillë?

Genta Gjalpi: Nuk jam radikale… partner? S’bëhet fjalë! Jo! Besoj se as ai vetë nuk është duke kërkuar partnere. Plus që unë s’i ndaj çantat e mia, por nuk e shoh veten…

Por si do të vepronte nëse një djalë që kujdeset në këtë formë ndaj vetes, do i shprehte pëlqimin e tij?

Genta Gjalpi: Gjatë kohës që ne do ishim miq do kuptonte çfarë lloj tipash më tërheqin mua dhe nuk do e linte mendja të më shprehte një gjë të tillë.

A po prodhon sot shoqëria hibridë as femër, as mashkull?

Pse stilistët propozojnë funde, fustane, çanta për meshkujt?