Të ftuar:

Ledia Fazlli – konsulente vizash

Erisa Dragoshi – këngëtare

Anita Tanaj

Ana Paloka – parukiere, Nju-Jork

Klodiana Pjetraj Paloka – mësuese, Nju-Jork

Gazetare: Agida Koçi, Ermelinda Ndoja

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Një recetë e shijshme mish viçi dhe speca

500 gr biftek viçi
2 lugë gjelle salcë soje
1 lugë çaji piper të kuq
Pak piper djegës ( opsionale )
Piper të zi
1 qepë të kuqe
3-4 speca mix ngjyrash
1 lugë çaji niseshte
1 lugë gjelle salcë domatesh
250 ml ujë ose lëng perimesh
3-4 lugë gjelle vaj

Presim mishin në rripa e më pas e marinojmë atë në salcë soje + piper të kuq + pikant + piper të zi + vaj e përziejmë mirë e lëmë të pushojë 30 min e më pas ngrohim tiganin dhe kaurdisim mishin derisa të zverdhet lehtë. Shtojmë në tigan qepën të prerë në rrathë dhe specat të prera në shirita i përziejmë sa qepa të ulë volumin e më pas përziejmë në një gotë me ujë 1 lugë gjelle salcë dhe 1 lugë çaji niseshte. E shtojmë në tigan dhe i lëmë përbërësit të gatuhen për 10 min. I servirim të ngrohta, mund ta shoqerojmë dhe me 1 kupë pilaf.

Receta e gurabijeve trëndafil

250 gr qumësht i vakët
1 lugë gjelle maja e thatë
70 gr sheqer
1 vezë
500 gr miell ( OLA ) + një majë kripë
1 lugë gjelle lëkurë portokalli
60 gr gjalp në temperaturen e ambjentit ( për brumin )
80 gr gjalp në temperaturen e ambjentit për lyerjen e brumit
40 gr sheqer

Në një tas vendosim qumështin menjanë + sheqerin, i përziejmë mirë dhe më pas shtojmë 1 vezë. Vazhdojmë përzierjen duke filluar të shtojmë pak nga pak miellin + një maje kripë. Përziejmë brumin duke shtuar 1 lugë gjelle lëkurë portokall e më pas 60 gr gjalp në temperature ambjenti. Punojmë brumin mirë derisa ai të lidhet, brumi duhet të jetë i butë, jo i fortë. E vendosim në një tas e mbulojmë dhe e lëmë të pushojë për 90 minuta.

Më pas vendosim brumin në tryezë dhe e hapim atë në një petë të trashë drejtkëndëshe. Lyejmë sipërfaqen e petës me gjalp në temperaturën e ambjentit. E spërkasim me pak sheqer dhe e mbledhim role, të lirshme jo të shtëenguar e presim në pjesë nga 5 cm lartësi dhe i vendosim në një tavë keku me letër pjekje. I vendosim në furrë në temperaturën 180 për 24-30 min.

Lotaria Amerikane, shqiptarët që kanë prekur ëndrrën amerikane

“Shpirti më doli dhe lotaria amerikane jo”/Parukierja në Nju-Jork tregon çfarë i mungon nga Shqipëria

Lotaria amerikane është një nga mundësitë për të prekur ëndrrën që hap dyert drejt mundësive të reja. Për këtë vit u shpallën edhe fituesit të cilët janë në pritje të fazës së dytë. Programi “Shije Shtëpie” në Tv Klan zhvilloi një bisedë me fitues të lotarisë amerikane apo persona që ia kanë dalë të ndërtojnë me mund ëndrrën e tyre përtej oqeanit.

Ana Paloka, një parukiere në Nju-Jork thotë se ka aplikuar vazhdimisht për lotarinë amerikane, por nuk fitoi kurrë. “Shpirti më doli, lotaria amerikane nuk më doli kurrë”, u shpreh ajo gjatë bisedës e megjithatë arriti të shkonte me vizë studenti. Në atë periudhë, ajo studionte në Mjekësi dhe pasi gjetu universitetin në Nju-Jork ku u pranua, shkoi në Amerikë. Ana kujton momentet e vështira të fillimit që ka ndeshur me jetën e saj të re.

Ana Paloka: Jeta këtu është krejt ndryshe, do ia nisësh nga zero, do bësh punë nga më elementaret që nuk ke menduar kurrë se do i bësh një ditë, nga restoranti, hostess, kamariere, gjë që ndoshta në Shqipëri nuk i kemi bërë, por këtu normale fillon prej te zeroja. Do thosha që vështirësi ka patur pafund, por njeriu u mësoka të bëjë një punë me orë të gjata, njeriu u mësoka të bëjë dy punë, njeriu u mësoka të shkojë në shkollë, pas shkolle të shkojë në shtëpi, të bëjë detyrat, të mësojë, por realisht njeriu nuk u mësoka të festojë ditëlindjet vetëm, të festojë Krishtlindjet, pa familjen,  Bajramin, Pashkët kështu që do të thoja që pjesa më e vështirë për mua ka qenë pjesa e familjes që kam tani 7 vjet larg. Njeriu mësohet me gjithçka, por pa prezencën e tyre, nuk u mësoka. Kjo ka qenë për mua pjesa më e vështirë.

Ana bëri edhe një krahasim mes Shqipërisë e Amerikës, çfarë mungon dhe çfarë jo te secila prej tyre.

Ana Paloka: Unë mendoj që Amerika ka  mundësi pafund që të bësh një jetë siç do, të punosh jo se në Shqipëri nuk mundesh të punosh, mos më keqkuptoni se edhe në Shqipëri mund të punosh, por unë realisht e kam gjetur veten shumë në Amerikë. Qëkur kam ardhur, në 2-3 muajt e parë jam përshtatur shumë dhe më dukej vetja sikur kisha nja 7-8 vjet këtu. Ndoshta është edhe kjo gjëja që kur ti e ke diçka me dëshirë shumë të madhe, me zell, sado e vështirë të jetë ty të duket shumë më kollaj. Çfarë ka Shqipëria që nuk e ka Amerika është dashuria që të japin njerëzit, energjia e mirë që ti me këdo që rri, kënaqesh pafund. Këtu ndoshta nuk kemi kohë a nuk e di, por nuk është ajo kafja, dreka apo darka siç e ha në Shqipëri.

Preku ëndrrën amerikane dhe u kthye në Shqipëri, këngëtarja: Nuk e gjeta veten!

Ëndrra amerikane mbetet një synim për shumë njerëz që dëshirojnë të ndërtojnë jetën e tyre në tokën e mundësive. Megjithatë, ka edhe raste kur mund të humbasësh në mes  të saj. Rrëfimi i Erisa Dragoshit në “Shije Shtëpie” në Tv Klan tregon një anë tjetër të kësaj ëndrre. Këngëtarja thotë se dëshira për ta realizuar ishte shumë e madhe, por pasi e preku i gjithë gëzimi u shndërrua në trishtim dhe vendosi të kthehej.

Erisa Dragoshi: Në fakt si të gjithë shqiptarët, unë bashkë me bashkëshortin tim, e kishim ëndërr të shkonim në Amerikë, kam qenë në atë kohë shtatzënë, diku pak a shumë para 8 viteve. Ne ikëm me vizë pune në fakt të dy, ishim shumë të lumtur, në momentin që kemi marrë vizat kemi qarë, qanim me dënesë, ishte mrekulli sepse na thoshin që është pak e vështirë t’ju dalë të dyve viza, edhe burrit, edhe gruas. Na doli, fati. Shkuam në Amerikë, atje për ne ishin gjërat shumë të thjeshta për t’i realizuar se ne nuk është se ndenjëm shumë, pak a shumë 4 muaj, por nuk u ambientuam dot, nuk e gjetëm dot veten.

Ermelinda Ndoja: Pra ato lotët e gëzimit që doli viza e punës për në Amerikë, bashkë me bashkëshortin, mund të themi u shndërruan në lot trishtimi atje?

Erisa Dragoshi: U shndërruan. Ishte ajo që po fliste pak goca, Ana. Ne nuk ishim nga ata të dy që donim të rrezikonim aq shumë, në thonjëza, të vuanim sepse ne çdo natë e vuanim shumë, e përjetonim shumë këttë mungesën e familjarëve, thoshim po larg qoftë të gjejë dikë diçka, si do ia bëjmë ne për të shkaur, për ta parë? Ndërkohë ne vinim nga një jetë shumë e zellshme këtu, me punë të mirë, punonim të dy, kishim të ardhura mirë, për çfarë kemi ardhur ne këtu, pse duhet të humbim ne këtu në fund të Amerikës, mendonim shumë gjëra.

Jeta dhe puna në Amerikë, si ndryshon nga Shqipëria?