Të ftuar:

Ilir Alimehmeti – epidemiolog

Adriatike Lami – poete

Dasara Karaiskaj – gazetare

Ermelinda Hoxhaj – gazetare

Gazetare: Agida Koçi, Ermelinda Ndoja

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Trigon me shijen e bakllavasë

1 vezë
100 ml vaj
100 ml ujë
100 ml qumësht
1 lugë gjelle kos
1 lugë gjalpë ambienti
1 lugë gjelle uthull
4.5 gota ujë miell
300 gr arra të grira
250 gjalpë për spërkatje
Niseshte

Sherbeti

1 kg sheqer
750 ml ujë
3 feta limon

Të gjithë përbërësit e brumit i vendosim në një tas dhe i punojmë mirë me dorë deri sa të na formohet një brumë jo i fortë. E ndajmë brumin në 15-16 kuleçë dhe i lëmë të pushojnë për 30-40 minuta.
Ndërkohë vendosim përbërësit e sherbetit në një tenxhere. E përziejmë mirë dhe e lëmë sherbetin të ziejë vetëm 6 minuta nga momenti i zierjes. Shkrijmë gjalpin.

Hapim petët në tryezë njëra pas tjetrës. Grijmë arrat dhe spërkatim petën me arra. E mbulojmë dhe kështu vazhdojmë me të 15-ta duke i vendosur njëra përmbi tjetrën me arra në mes. Më pas e ndajmë bakllavanë me shirita me gjerësi 5 cm. Më pas e palosim petën sa të na formohet një trekëndësh. I vendosim në një tepsi të lyer me gjalpë. Kështu vazhdojmë deri sa tepsia të na mbushet plot.

E vendosim në furrë në temperaturë 170 gradë për 30-40 minuta. Pasi e nxjerrim nga furra e lëmë të pushojë 10 minuta dhe më pas e shërbetosim me sherbetin e valuar. E lëmë ëmbëlsirën të ftohet e të përthithet sherbeti. Më pas e shërbejmë.

Kunguj të njomë me kos dhe hudhra

1 kg kunguj të njomë
2 lugë gjelle miell
Kripë
Vaj për skuqje
1 kg kos
5-6 thelpinj hudhra
4 lugë gjelle vaj ulliri
Kopër
Kripë
Vaj ulliri

Lajmë pastrojmë kungujt. I gërvishtim lehtë, lëkurën e tyre e më pas i presim kungujt në rrathë me trashësi 0,5 cm. I pudrosim lehtë me miell. Shkundim miellin e tepërt me anë të një kullese ose site. Ngrohim vajin dhe më pas skuqim kungujt sa të zverdhen nga të dyja anët. I largojmë dhe i vendosim në një pjatë, i spërkatim me pak kripë dhe i lëmë të ftohen.

Ndërkohë shtypim hudhrat me pak kripë e më pas bashkojmë hudhrat me kosin. Për shije më të fortë, hudhrat kur t’i shtypim, i përziejmë me shumë pak uthull. Shtojmë edhe kungujt me kos dhe i përziejmë ngadalë. Shtojmë 4-5 lugë gjelle vaj ulliri. Spërkatim me pak kopër të grirë hollë dhe gati për ta shërbyer.

Dilema e çdo prindi. Cila është mosha e duhur që fëmija juaj të marrë një telefon?

 

Përdorimi i telefonave nga fëmijët dhe efektet psikologjike

Vajza 8 vjeçe mban celular, Karaiskaj: Si e kam gjetur “mesin e artë”

Momenti kur fëmija kërkon  të ketë një celular dhe koha e duhur për t’ia dhënë është një nga dilemat më aktuale të prindërve. Diskutimi shtrihet nga nevoja dhe domosdoshmëria për të komunikuar me fëmijën përgjatë ditës te frika për rreziqet e lundrimit në internet apo rrjetet sociale, ndikimi në zhvillim, nxënien e mësimeve dhe shpenzimin e kohës.

Gazetarja Dasara Karaiskaj nuk qëndron midis ekstremeve. Gjatë bisedës në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, ajo tregon se vajza e saj 8-vjeçare ka qenë e ekspozuar ndaj celularit që në moshë të vogël.

Dasara Karaiskaj: Kam një eksperiencë krejtësisht tjetër për shkak se vajza ime i ka të gjithë jashtë, gjyshërit nga të dyja anët, edhe të atin tashmë kështu që është detyruar qëkur ka lindur, pra është një eksperiencë tjetër kjo imja duke qenë se që 1 vjeçe, 2 vjeçe për shkak se gjyshërit kishin mall unë drejtoja telefonin që ta shikonin vajzën kështu.

Sipas gazetares, zgjidhja ka qenë monitorimi i faqeve që vajza frekuenton përmes filtrave të kërkimit të përcaktuar prej prindërve. Dasara shton se teknologjia mundet edhe të të mësojë gjëra por prindi duhet të jetë aty për t’ia shpjeguar fëmijës siç ajo ka vepruar kur vajza ka shprehur edhe dëshirën për  ë pasur një Instagram apo kanal Youtube.

Dasara Karaiskaj: Ka filluar të kuptojë sesi është të bësh një koment sepse shkoi në shkollë, mësoi të lexonte dhe dëshironte që të bënte komente. Aty ndërhymë përsëri unë, mamaja ime që t’i mësonim se komentet nuk bëhen  kaq kollaj, je  e vogël, kam punuar në mënyrë sistematike për ta mësuar se cila është… ose kur ka kërkuar dhe ka parë nga unë sepse unë e kam punën të lidhur edhe me Instagram-in dhe ka pasur dëshirën që të ketë një Instagram të sajin ose me modelet që jepen sot të fëmijëve që duan të kenë kanalin dhe të bëhen të famshëm etj, me gjëra të kësja natyre, jam përpjekur t’i shpjegoj që jo gjithmonë është mirë sepse ka këtë anën tjetër, ti nuk mund të kesh një Instagram sepse të shkruajnë disa njerëz që jo gjithmonë janë të mirë por ka edhe njerëz negativë që ndikojnë dhe ajo e ka të qartë sepse panorama i është bërë e qartë duke komunikuar çdo ditë.

E bindur se deri më tani e ka gjetur “mesin e artë”, gazetaren e frikëson vetëm diçka në këtë epokë teknologjie.

Dasara Karaiskaj: Fëmijët nuk kanë lirinë që kanë pasur dikur. Vajza ime nuk del të luajë poshtë pallatit, është shumë prezente përballë meje. Argëtimet e saj janë kur unë zgjedh ta çoj të argëtohet diku. Unë e nxjerr në natyrë, fëmijët me të cilët luan janë fëmijët e shoqërisë time, pra unë kam zgjedhur shoqërinë,  për rrjedhojë e di si janë edukuar ata fëmijë. Ka një kontroll që ndonjëherë, gati-gati, edhe pse më kënaq për disa gjëra bëhet i tepruar sepse ne vërtet kemi luajtur ashtu siç kemi luajtur, ishim më naivë, nuk kishim ndoshta zgjuarsinë që kemi sot, por edhe frika ishte më e vogël dhe e përballonim jetën. Kam frikë për këtë brez që po rrisim ne që do të bëhen më të dobët se ç’kemi qenë ne.