E rezervuar për të dhënë informacione përpara medias, Drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror Vlora Hyseni paralajmëroi se agjentura ruse dhe ajo serbe kanë mbajtur një qëndrim armiqësor ndaj Shqipërisë.

Teksa raportoi në Komisionin e Sigurisë për punën e institucionit që drejton gjatë vitit që lamë pas, Hyseni tha se në kuadër të misionit që SHISH-i ka është rritur bashkëpunimi me agjencitë e tjera ligjzbatuese.

Vlora Hyseni, drejtore e SHISH-it: Si me SPAK, BKH, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme, kryesisht jemi fokusuar në operacione që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, anti-terrorin, kundërspiunazhin ku përfshin kundërvenia ndaj aktiviteteve të shërbimit të ingteligjencës ruse, serbe dhe shteteve të tjera.

Opozitën e cila më herët e ka akuzuar se ka bërë një vizitë sekrete në Beograd, drejtuesja e SHISH-it e ftoi të flasë me fakte.

Vlora Hyseni, drejtore e SHISH-it: Duhet të jemi të rezervuar dhe të kemi fakte kur akuzojmë për ndonjë aktivitet apo takim të dyshimtë të drejtorit të shërbimit.

Pavarësisht insistimit të opozitës që mbledhja të zhvillohej me dyer të hapura, raportimi përpara deputetëve të Komisionit të Sigurisë i Drejtoreshës së SHISH-it zgjati pak minuta për shkak të informacionit të klasifikuar që Hyseni tha se përmban raporti për vitit 2023.

Klan News