Këto janë pamjet e shitjes së lëndëve narkotike pranë gjimnazeve dhe shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit nga anëtarë të grupeve kriminale, një pjesë të të cilëve u arrestuan nga Policia e Tiranës.

Në total, në pranga u vunë 31 persona, teksa 7 të tjerë janë arrestuar gjatë hetimit 4-mujor të sektorit të antidrogës në kryeqytet. Ndërkohë, 14 persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Pamjet e operacionit tregojnë momentet kur lënda narkotike shitet apo shpërndahet, ndërsa në disa raste përdoren monopatina, taksi dhe shërbime delivery për të transportuar drogën dhe për të shmangur vëmendjen policore.

Sipas uniformave blu, të arrestuarit nga mosha 19 deri në 52 vjeç vepronin në grupe, por dhe të veçuar, për zhvillimin e aktivitetit kriminal.

Nga kontrollet u sekuestruan mbi një kilogram heroinë, rreth 1.2 kilogramë kokainë dhe qindra gramë Cannabis Sativa.

Mes të arrestuarve evidentohet Ferit Xhani, personi që shihni dhe në foto, që për policinë ishte një prej furnitorëve të shumë shpërndarësve të drogës në zona si Qyteti i Studentit, Rruga e Elbasanit dhe gjimnazi Ismail Qemali.

Për vijimin e këtij operacioni, policia thotë se po kryen hetime me qëllim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, mes tyre dhe furnizuesve të grupeve të shpërndarjes.

Tv Klan

/tvklan.al