Kur ka mbetur afro një javë nga ndeshja e Ligës së Kombeve kundër Finlandës, që do të luhet më 12 nëntor në stadiumin “Arena Kombëtare” janë shitur afro 20 mijë bileta.

Tifozët kuqezinj janë përgjigjur të gatshëm për të mbështetur Kombëtaren shqiptare në duelin vendimtar që vlen shumë për fatet e grupit C1.

Nuk përjashtohet mundësia që në ditët e ardhshme stadiumi të shkojë drejt “Sold Out”-it dhe të shiten të gjitha biletat.

Trajneri Ronaldo Maran do të publikojë listën e futbollistëve të grumbulluar këtë të shtunë, ku në fakt nuk priten eksperimente.

Qazim Laçi pritet të rikthehet pasi mungoi në ndeshjet e shtatorit për shkak të dëmtimit, ndërsa Tomas Strakosha ende nuk është rikuperuar.

Skuadra do të zhvillojë stërvitjen e parë në datën 9 nëntor për të nisur zyrtarisht përgatitjet për duelin e radhës.

Ndeshja kundër Finlandës është shumë e rëndësishme pasi është në lojë vendi i parë në grup dhe Shqipëria ka detyrim fitoren për të mos ndërlikuar llogaritë.

Në rast se siguron vendin e parë Shqipëria do të fitonte të drejtën e “Play Off”-it për në Europianin e vitit 2028, po ashtu do të ngjiten në vazon e tretë të kualifikueseve për këtë kompeticion.

Pas sfidës në Tiranë, tre ditë më vonë skuadra e Maran do të luajë duelin e fundit të grupit kundër Bjellorusisë në Budapest. Të dyja ndeshjet do të transmetohen falas në ekranin e TV Klan.

/tvklan.al