Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar probleme në zonën e Radomirës, në Dibër, ku përmbytjet e menjëhershme nga përrenjtë malorë kanë sjellë dëme të konsiderueshme për banorët.
Sipas informacioneve paraprake të siguruara nga gazetari i Klan News, kanë mjaftuar vetëm pak minuta shi i rrëmbyeshëm që përrenjtë që zbresin nga mali i Korabit të dalin nga shtrati, duke u bërë të rrezikshëm dhe duke transportuar sasi të mëdha gurësh e zhavorri.
Më e prekura ka qenë zona e fshatit Radomirë, ku përroi i fshatit ka rrëmbyer rreth 20 krerë lopë. Bagëtitë, sipas banorëve, ishin dërguar për verim në bjeshkë në momentin kur ndodhi ngjarja.
Banorët raportojnë dëme të konsiderueshme si pasojë e humbjes së bagëtive, ndërsa vërshimet kanë krijuar vështirësi edhe në lëvizjen në zonë.
Edhe pse reshjet kanë zgjatur vetëm pak minuta, intensiteti i tyre ka qenë i lartë, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme dhe pasoja të shumta.
Autoritetet vendore po ndjekin situatën në terren dhe kanë nisur vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga moti i keq.
/tvklan.al












Botërori 2026 
