Reshjet intensive të shiut të javës së kaluar ia kanë lënë vendin këtë të hënë acarit. Në qarkun e Dibrës termometri ka zbritur disa gradë nën zero. Në Lurë ka shënuar -18°, ndërsa në qytetin e Peshkopisë -15°. Akset rrugore kombëtare janë të kalueshme, por ka prezencë akulli.

Në rrugën e Arbrit ka pasur probleme me ngricat gjatë natës dhe në mëngjes. Edhe në aksin Peshkopi-Kukës ka prezencë ngricash. Ndërsa në segmentin Ura e Çerenecit-Librazhd kalimi bëhet me zinxhirë. Rruga e Lurës është bllokuar, ndërsa po punohet për hapjen e rrugëve të fshatrave.

Temperaturat ekstreme të ulëta kanë përfshirë edhe juglindjen e vendit. Në orët e para të mëngjesit termometri ka shënuar -10 gradë Celsius. Rrugët nacionale që lidhin Korçën me Kapshticën, Qafë-Thanën, Ersekën dhe Leskovikun janë të hapura dhe qarkullimi bëhet normalisht.

Nuk ka vështirësi për lëvizjen e mjeteve edhe në rrugët drejt Dardhës dhe Voskopojës. Ndërkohë, rrugët rurale në zonat e thella malore janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Në disa fshatra ka mungesë të energjisë elektrike.

Në qarkun e Gjirokastrës problematike mbetet rrëshqitja e dherave, që po mban të bllokuara disa zona rurale.

Tv Klan

/tvklan.al