Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Rrufe shkarkimesh në Prokurorinë e Tiranës. Ka nisur me largime e shkarkime puna në institucionin e akuzës së kryeqytetit për vitin 2000. Që sot me dekret të presidentit Mejdani, nuk do të jetë më Dolores Velaj në krye të kësaj prokurorie. Gjithashtu sot janë shkarkuar dhe zv/prokurori Ylli Basha dhe prokurori Arben Vasili, ndërsa është pranuar dorëheqja e prokurorit tjetër të Tiranës Arjan Sulstafa.

Ka qenë vetë Kryeprokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi, i cili ia ka përcjellë kërkesën për largim të vartësve të tij presidentit Mejdani, që në fund të vitit të kaluar dhe nuk ka pritur shumë Presidenti i Republikës që në rolin e kryetarit të KLD të firmosë sot në drekë largimin e tyre.

Mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe asaj të Tiranës prej kohësh ekzistonin mosmarrëveshje, kulmi i të cilave u finalizua me shkarkimin e prokurorit të Tiranës Xhevat Hana, me urdhër të kryeprokurorit Rakipi. Gjithashtu, vetëm pak ditë para Vitit të Ri, me urdhër të krerëve të Prokurorisë së Përgjithshme ndalohet një tjetër drejtues pranë Prokurorisë së Tiranës, më akuzën, shpërdorim detyre.

Motivacioni që ka shoqëruar shkarkimin e Velajt, zëvendësit të saj dhe prokurorëve të tjerë, ishte paaftësi profesionale e treguar nga kjo prokurori në shumë çështje hetimi.

Gjithashtu, Presidenti Mejdani ka emëruar prokurorin e ri që do të zëvendësojë Velaj në prokurorisë së kryeqytetit. Ai është Thoma Jano, ish-prokuror në Ersekë, më pas ka kaluar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe deri dje prokuror i thjeshtë në Prokurorinë e Tiranës.

Brenda ambienteve të prokurorisë, kreu i ri i organit të akuzës së Tiranës Jano, njihet si njëri korrekt dhe profesionist. Shkarkimet e fundit të një rrangu të lartë në Prokurorinë e Tiranës nga krerët e Prokurorisë së Përgjithshme është komentuar si vazhdim i luftës së spastrimit të rradhëve të prokurorëve nga të paaftët. Ndërkohë që vetë Velaj ka kundërshtuar ashpër mjaft urdhra apo vendime të Prokurorisë së Përgjithshme./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj