Manchester United ka shkarkuar trajnerin Michael Carrick, duke theksuar përmes një komunikate se ndryshimi ishte një hap i vështirë por tërësisht i domosdoshëm.
Paralelisht me këtë vendim, drejtuesit e klubit kanë finalizuar marrëveshjen për t’ia besuar drejtimin e skuadrës teknikut argjentinas, Mauricio Pochettino. Për të zhbllokuar këtë kalim, klubi anglez do t’i paguajë Federatës Amerikane të Futbollit klauzolën e lirimit të trajnerit, e cila kap vlerën e rreth 9 milionë eurove.
Largimi i Carrick vjen pas një nisjeje tejet negative të këtij sezoni, ku skuadra ka grumbulluar vetëm 8 pikë në 10 ndeshje të Premier League dhe e sheh veten në zonën e rënies nga kategoria.
Ky vendim u mor pas një takimi mes administratorit të deleguar Omar Berrada, drejtorit sportiv Jason Wilcox dhe aksionerit Sir Jim Ratcliffe, i cili kontrollon strategjitë sportive të klubit. Carrick e kishte marrë detyrën më 13 janar, duke zëvendësuar Darren Fletcher, i cili nga ana e tij kishte pasuar Ruben Amorim në pankinën e skuadrës.
Falë sigurimit të vendit të tretë sezonin e kaluar, trajneri anglez kishte firmosur një kontratë të re dyvjeçare vetëm gjashtë muaj më parë, por paraqitjet e fundit në kampionat dhe grumbullimi i 6 pikëve në 4 ndeshje të Champions League sollën fundin e bashkëpunimit.
Trajneri i ri, Mauricio Pochettino, pritet të mbërrijë në Manchester për të zhvilluar seancën e tij të parë stërvitore në datat 18 ose 19 nëntor, pas përfundimit të detyrimeve të tij të fundit me kombëtaren e SHBA-së.
/tvklan.al












Botërori 2026 
