Faturat, e pretenduara nga Elif Duman, nuk kanë kodet e mallit e janë paraqitur pa përkthim dhe pa vulën apostile. Nga ana tjetër, gjyqtari Lek Prenaj ka nxjerrë urdhrin e ekzekutimit me këto shkelje.

Emisioni “Stop” merret me Gjykatën e Shkallës së Parë Prishtinë, me gjyqtarin Lekë Prenaj, i cili ka ligjëruar këtë procedurë përmbarimore dhe këtë borxh të krijuar në mënyrë artificiale. Ky gjyqtar duhej t’i kishte kërkuar përmbaruesit privat që të gjitha faturat në gjuhën turke duhej të ishin të shoqëruara me një përkthim përkatës të kryer nga një përkthyes i licencuar. Pikë së dyti, ky gjyqtar po ashtu duhej t’i linte palës kreditore mundësinë e apelimit.

Arbër Rexha, avokat: Debitori në afat të rregullt ligjor ka parashtruar ankesë ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore me të cilën është refuzuar prapësimi. Mirëpo në pamundësi të deponimit të garancisë, të cilën e ka caktuar Gjykata Themelore, kjo e fundit pa ndonjë vendim me shkrim, lëndën dhe shkresat për lëndën, i ka orientuar tek përmbaruesi për të proceduar më tutje. Unë mendoj që ankesa është e drejtë fundamentale dhe kategori kushtetuese, e cila nuk duhet t’i mohohet askujt. Mendoj se Gjykata e Shkallës së Parë është dashur që ankesën sëbashku me shkresat e lëndës t’i drejtojë tek Gjykata e Apelit për vendosjen meritore në këtë çështje përmbarimore.

Pikë së treti, ky gjyqtar nuk duhej të kishte gjykuar pikërisht këto fatura pasi në këto fatura shkruhet qartë dhe pastër, nëse ka konflikt midis palëve, atëherë është Gjykata e Bursës dhe përmbaruesit e Bursës, të cilët mund t’i japin zgjidhje konfliktit.

Gazetari – Në lidhje me këto faturat, që keni nxjerrë një borxh të prodhuar në mënyrë artificiale, a kanë pasur një përkthyes nga Turqia për këtë lloj fature, që keni pasur në lëndën gjyqësore?

Gazetari – Mund të flasim zoti Lekë Lekë Prenaj?

Lekë Prenaj – Jo bre zotni! Është zëdhënësja, te zëdhënësja bisedohet, nëse keni naj sen.

Gazetari – Jo thjeshtë, ju dini turqisht?

 Lekë Prenaj – Jo nuk ka ç’ka t’them unë ty!

Gazetari – Kjo fatura këtu thotë p.sh, që…

Lekë Prenaj – Nale ti kët kamera!

Gazetari – N.q.s palët kanë probleme, duhet ta zgjidhin në Gjykatën e…, në Gjykatën e Bursës.

Lekë Prenaj – Unë ju tregova, shkoni atje ku është zëdhënësja!

Gazetari – Po zëdhënësja s’mund ta thotë, se ju e keni marrë vendimin. Më kupto?

Lekë Prenaj – Te zëdhënësja shkoni, s’komunikohet gjyqtari, nuk lejohet me u komuniku.

Gazetari – E kuptoj, por është absurde, sepse këto janë fiktive dhe është një broçkull.

Lekë Prenaj – Cilat janë fiktive?

Gazetari – Po sepse nuk kanë kode. Këtu thuhet, që duhet të gjykohet në Gjykatën e…

Lekë Prenja – Fike kët kamer!

Gazetari – E Bursës. Nuk keni një opinion për këtë?

Lekë Prenaj – Jo jo, dhe asnjë lloj sqarimi.

Gazetari – Ok, faleminderit!

Lekë Prenaj – Shpjegimin ua dhashë!

Ky dokument që është prodhuar në shtetin turk dhe është bërë shkak i një borxhi artificial në shtetin e Kosovës duhet që të ketë elementët e sigurisë për tu përdorur në institucionet zyrtare, apo në sistemin e drejtësisë. Dhe kush më mirë se një noter mund të na thotë se çfarë elementesh sigurie duhet të ketë ky dokument para se të përdoret zyrtarisht.

Noterja Sanja Telhallari, shpjegon, se për t’u legalizuar një dokument nga një shtet në një tjetër, duhet të ketë disa elementë sigurie, që bëhen në zyrën noteriale.

Përsëhndetje notere! Emisioni “Stop” është i interesuar në lidhje me një procedurë që bëhet nga një shtet në një shtet tjetër. Kemi të bëjmë me një faturë të prodhuar në shtetin turk dhe ne do të donim të dinim që si mund të legalizohet ky dokument që të mund të përdoret zyrtarisht, por edhe në sistemin gjyqësor në një shtet tjetër. Cilët janë ato elementë sigurie që një noter bën dhe që certifikojnë një dokument?

Sonja Telhallari, notere: Duke u bazuar në Konventën e Hagës, një dokument që të ketë një fuqi ligjore, duhet të ketë në vulë apostile. Që është veprimi i parë. E dyta, që të veprojë në shtetin tjetër, duhet të përkthehet nga një përkthyes zyrtar dhe më pas të noterizohet. Në rastin konkret, dokumenti që unë kam në dorë nuk ka një vulë apostile dhe e dyta, nuk është përkthyer nga një përkthyes që ne të shikojmë çfarë përmban dokumenti. Duke mos ditur se çfarë përmban, një noter nuk mund ta noterizojë këtë dhe nuk mund të ketë fuqi, nuk mund të veprojë në shtetin tjetër.

/tvklan.al