Barcelona nuk ndalet! Katalanasit vazhdojnë marshimin në La Liga, me një tjetër spektakël futbolli dhe një Raphinha të papërmbajtshëm. Sevilla e nisi më mirë dhe surprizoi të besuarit e Flick, por Barça reagoi shpejt, përmbysi gjithçka dhe në fund festoi një tjetër trepikësh.

Lamine Yamal dha shkëndijat e para, duke goditur shtyllën.

Por ishte Sevilla që zhbllokoi rezultatin. Youssouf Fofana kaloi miqtë në avantazh me një goditje me kokë.

Avantazhi i Sevillas zgjati vetëm dy minuta. Raphinha shfaqi gjithë klasën e tij dhe me mjeshtëri riktheu baraspeshën. 1-1 dhe gjithçka u rihap.

Pjesa e parë u mbyll në barazim, ndërsa me nisjen e së dytës, Barcelona kaloi përpara. Raphinha goditi sërish, këtë herë me kokë, duke përmbysur rezultatin.

Por braziliani nuk kishte mbaruar punë. Në minutën e 70-të, një korridor fantastik i Lamine Yamal i dha Raphinhës mundësinë për të kompletuar tripletën dhe për të vulosur fitoren e Barcelonës.

Një tjetër mbrëmje spektakolare për katalanasit, që vijojnë serinë prej shtatë fitoresh radhazi dhe mbajnë kreun e La Ligës me 21 pikë.

Klan News

/tvklan.al