Pas miratimit të pilulës për trajtimin e kancerit të pankreasit muajin e kaluar në SHBA-të, një test i ri gjaku po jep shpresë për kurim të plotë. Ky test bën të mundur identifikimin e tumorit në hapat e parë, atëherë kur sëmundja është ende e trajtueshme.
Metoda inovative u zhvillua nga një ekip ndërkombëtar kërkimor i udhëhequr nga “City of Hope”, një nga organizatat më të mëdha dhe më të specializuara në SHBA për kërkimin dhe trajtimin e kancerit. Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Nature Medicine”, prezanton një biopsi të lëngshme të quajtur PANXEON, e cila tregon ndjeshmëri të lartë në zbulimin e kancerit të pankreasit dhe dëmtimeve parakancerogjene.
Testi përdor një qasje ndryshe nga diagnostikimet e zakonshme, duke analizuar tre tregues (biomarkues) në gjak: microRNA qarkulluese, microRNA jashtëqelizore (ekzosomale) dhe proteinën e quajtur CA19-9.
Më pas, me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, testi kombinon të tria matjet në një pikësim të vetëm që vlerëson nivelin e rrezikut për pacientin.
Kërkuesit testuan biopsinë e lëngshme te pothuajse 1 mijë e 800 pacientë në SHBA, Evropë dhe Azi për të konfirmuar efikasitetin e saj në popullata dhe mjedise të ndryshme klinike. Kështu, ky test identifikoi saktë kancerin e pankreasit në fazat 1 dhe 2 në 87% të rasteve.
Shkalla e rezultateve false-pozitive ishte vetëm 3% te grupet me rrezik të ulët dhe 16% te ato me rrezik të lartë. Testi detektoi në më shumë se 64% të rasteve displazinë e shkallës së lartë, një gjendje e avancuar parakancerogjene. Kjo aftësi e fundit do t’u mundësojë mjekëve të përcaktojnë me saktësi se cilat ciste pankreatike kërkojnë monitorim aktiv apo ndërhyrje mjekësore përpara se të zhvillohen në kancer agresiv.
Kanceri i pankreasit mbetet ndër më vdekjeprurësit, kryesisht sepse zakonisht diagnostikohet në fazë të avancuar. Rreth 90% e pacientëve diagnostikohen kur masa kancerogjene është shpërndarë tashmë në organe të tjera.
Gjithashtu, ka shkallën më të ulët të mbijetesës mes të gjitha llojeve të kancerit; vetëm 14% e pacientëve jetojnë pesë vjet pas diagnozës.
/tvklan.al












Botërori 2026 
