Mekanizmi mbi 120 vjeçar ishte ruajtur nga familja Kurraj

Shkodrës do t’i kthehet sahati, një nga simbolikat e qytetit. I vendosur në një pallat 6 katësh, në një kullë të vogël ai prej vitesh nuk ka qenë funksional.

Pas nismës së kryetarit të bashkisë Benet Beci për ta rikthyer në funksion është gjetur edhe mekanizmi i orës mbi 120 vjeçare e ruajtur nga familja shkodrane Kurraj për 33 vjet pas rrëzimit të komunizmit.

Restauratori Petrit Bilali thotë se ka qenë kryetari i bashkisë Benet Beci që ka kërkuar të restaurohej mekanizmi.

Petrit Bilali: Para disa muajve hasëm në interesin e bashkisë Shkodër dhe kryetarit i cili kërkoi të merrej objekti, të ulej dhe të restaurohej. Në rastin konkret unë kam bërë etapat e mirëmbajtjes, kam hequr pluhurin e kohës, ndryshkun dhe jam munduar në mënyrë mekanike të vë në punë ingranazhet.

Suzana Kurraj (Banore e pallatit): Nuk dua gjë tjetër, vetëm atë sahat! Se kur shikoja që kalonin njerëz dhe kthenin kokën, mua sikur më pikonte. Më pikonte në shpirt, si mor një sahat more. Dal me shkop, ta shoh atë, vdes…

Besnik Sahatçia (Orëndreqës): Ajo ka një histori, qyteti i Shkodrës ka pas shumë nga këto orë. Kam pasur kënaqësinë ta shoh unë dhe shokët e mi që më pyesin a po e rregulloni, po po u kam thënë. Shyqyr që u bë realitet dhe po vihet në punë.

Ermir Dibra (Orëndreqës, mirëbajtës i sahatit): Është kënaqësi e veçantë t’i shërbej edhe njëherë qytetit të Shkodrës me këtë objekt.

Përmes një postimi në Facebook kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci tregon habinë kur e mësoi se mekanizmi i vjetër i sahatit gjendej pikërisht në kullën e vogël ngritur enkas mbi pallat.

Mekanizmi do të bëhet pjesë e fondit të Muzeut të qytetit, shkruan kryebashkiaku duke shtuar se po punohet për rindërtimin e plotë të Sahatit të Shkodrës për ta bërë funksional në të njëjtin vend.

Klan News