Veliaj: Edhe një rrugë do quhet “Sokol Olldashi”

Nga njësi 2 e kryeqytetit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se shkolla e re 9-vjeçare në afërsi të Qytetit Studenti, në zonën e njohur si ish-Kaldaja e vjetër do të marrë emrin e ish-kryeministrit Bashkim Fino, i cili u nda nga jeta këtë të hënë nga Covid-19,

“Këtu ka qenë kaldaja e vjetër e Qytetit Studenti, kështu që ishte e vetmja hapësirë shtet që ne mund të shfrytëzonim për të ndërtuar një shkollë. Ndërkohë po ndërtohen edhe dy shkolla tek Fresku, aty ku ka qenë Shërbimi Informativ i Ushtrisë, projekt i 17 shkollave. Besoj se do hyjmë në histori si viti ku janë hapur më shumë shkolla se kurdoherë në qytetin e Tiranës”.

Kreu i Baskisë së Tiranës tha se për vlerësuar edhe të djathtën, një rrugë do të mbajë emrin e të ndjerit Sokol Olldashi.

“Ne në fakt duam të vlerësojmë jo vetëm figura të majta, por edhe nga e djathta, për ata që kanë lënë një gjurmë në komunitetin tonë. Kemi marrë gjithashtu një propozim për një rrugë në këtë zonë, në Njësinë numër 2, me emrin Sokol Olldashi, ndaj duam që edhe atë koleg e mik ta respektojmë gjithashtu dhe besoj që Tirana do të jetë më dinjitoze me rrugë dhe shkolla cilësore, por edhe me emra dinjitozë të atyre që i kanë shërbyer këtij vendi. Përtej bindjeve politike, kush ka qenë shërbëtor publik i këtij atdheu dhe i këtij qyteti meriton të vlerësohet, si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta”.

Teksa prezantoi deputetin Arben Pëllumbi, Veliaj tha se njësisë 2 në kryeqytet do i shtohet edhe një kopsht.

Tv Klan