29 tetor 2026 – Gazetarja dhe pedagogia Edlira Birko ka ngritur shqetësimin për mungesën e pranisë së prindërve në jetën e të rinjve të gjeneratës Z.

E ftuar në emisionin “Shije Shtëpie”, Tv Klan, ajo theksoi se të rinjtë po përballen me një realitet shumë të ndryshëm nga ai i brezit të prindërve të tyre dhe se shkolla ka vështirësi për t’u përshtatur ndryshimeve të shpejta të shoqërisë dhe teknologjisë.

“Në fakt, janë vetëm ky brez. Sepse është një përqindje shumë e vogël e prindërve të cilët janë të pranishëm në jetën e këtij brezi. Pjesa më e madhe e prindërve janë duke vrapuar gjithnjë e më tepër, sepse jetesa për të gjithë është bërë shumë e vështirë, problematikat janë bërë shumë të mëdha. Fakti që këta e kanë informacionin dhe përgatitjen shumë më të madhe se ç’e kemi ne, ata kanë një jetë në rrjetet sociale në të cilën prindërit nuk janë pjesë e këtyre rrjeteve sociale siç janë këta. Dhe ai është një realitet krejtësisht tjetër, ku kam bindjen që edhe psikologët tani po fillojnë të shikojnë me parametra të tjerë, me standarde të tjera për ta trajtuar këtë brez të ekspozuar në një realitet ku është krejtësisht ndryshe dhe shumë i panjohur për brezin tonë. Dhe ajo çfarë është më e rëndësishmja, ka dështuar shkolla”, u shpreh Birko.

Sipas Birkos, që prej fuqizimit të televizionit, internetit dhe më pas rrjeteve sociale, shkolla nuk ka arritur të ndryshojë me të njëjtin ritëm për t’iu përgjigjur nevojave të brezave të rinj.

Pedagogia theksoi se, në një kohë kur të rinjtë mund të marrin informacion nga burime të shumta, roli i shkollës duhet të shkojë përtej transmetimit të njohurive. Ajo duhet t’i ndihmojë ata të organizojnë informacionin, të përgatiten për sfidat e jetës dhe të zhvillojnë aftësinë për të menduar në mënyrë kritike.

“Sepse që në vitet ’80, me fuqizimin e televizionit, më pas të internetit dhe tani të rrjeteve sociale, shkolla nuk e ka fituar atë aftësi të ndryshojë me ato ritme për t’iu përgjigjur këtij lloj ndryshimi të shpejtë që kanë këta. Sepse çfarë i ofron shkolla? Një i ri ku ai ka mundësi ta marrë informacionin në rrugë nga më të ndryshmet. Pra, ti duhet të bësh një organizim të dijeve, sepse kjo është arma t’i përgatitësh, që prindi të përgatitë për sfidat me të cilat ti do të përballesh, që rruga që do të kalosh nuk është aq e lehtë dhe ka nevojë për prezencën e prindit, që pjesa më e madhe nuk e kanë të pranishme prezencën. Dhe, nga ana tjetër, shkolla që t’i japë armën që në këtë, si të thuash, jetë në rrjetet sociale, ata të cilët mund të mbijetojnë dhe t’ia dalin janë pikërisht ata të cilët kanë marrë nga shkolla dhe nga formimi i tyre aftësinë e lartë të të menduarit në mënyrë kritike, që të kuptojnë, sepse pjesa më e madhe janë në një goditje të diçkaje të pavërtetë. Si mundet një individ të rritet i lumtur në një realitet që është, një pjesë më e madhe është fake? Nuk është i drejtë”, tha ajo.

/tvklan.al