Ka shkuar në 31 numri i viktimave nga rrëzimi i avionit mbi një shkollë në kryeqytetin e Bangladeshit, Dhaka. Qeveria e përkohshme ka njoftuar këtë të martë ditë zie kombëtare.

Avioni i forcave ajrore të Bangladeshit u rrëzua mëngjesin e së hënës në kampusin e një kolegji dhe shkolle në Dhaka, duke vrarë të paktën 31 persona, përfshirë pilotin. Ndërkohë më shumë se 170 të tjerë mbetën të plagosur nga incidenti.

“Al Jazeera” shkruan në një artikull se incidenti ndodhi në kohën kur nxënësit po bënin testime ose po ndjeknin orët e rregullta mësimore.

Ushtria tha se piloti i identifikuar si Mohammed Toukir Islam, bëri “çdo përpjekje për të devijuar avionin larg zonave me popullsi të dendur drejt një vendi më pak të banuar”.

Shumica e të plagosurve ishin të moshave nga 8 deri në 14 vjeç, tha Mohammad Maruf Islam, drejtor i përbashkët i Institutit Kombëtar të Djegieve dhe Kirurgjisë Plastike në Dhaka, ku u trajtuan shumë prej viktimave.

Ndërkohë Sayedur Rahman, ndihmës special i këshilltarit kryesor për Ministrinë e Shëndetësisë, i tha gazetarëve në mëngjes të së martës se të paktën 25 fëmijë ishin midis atyre që vdiqën në aksident.

Zjarrfikësit spërkatën ujë mbi mbetjet e shkatërruara të avionit, i cili dukej sikur kishte goditur anën e një ndërtese, duke dëmtuar grilat e hekurta dhe duke krijuar një vrimë të madhe në strukturë. Videot që kanë qarkulluar në rrjetet sociale treguan njerëz që bërtisnin dhe qanin, ndërsa të tjerë përpiqeshin t’i qetësonin ata.

“Kur po merrja fëmijët dhe po shkoja te dera, kuptova që diçka erdhi nga pas… dëgjova një shpërthim. Kur u ktheva mbrapsht, pashë vetëm zjarr dhe tym,” tha Masud Tarik, një nga mësuesit e shkollës ku ndodhi ngjarja, për agjencinë e lajmeve Reuters.

Ky incident ndodhi pak më shumë se një muaj pasi një avion i Air India-s u rrëzua në një konvikt të kolegjit mjekësor në qytetin Ahmedabad në Indinë fqinje, duke vrarë 241 nga 242 personat në bord dhe 19 të tjerë që ishin në tokë, katastrofa më e rëndë ajrore në botë në një dekadë./tvklan.al