Shkretëtirat janë ndër zonat më sugjestionuese të Tokës. Sipërfaqja totale e tyre është rreth 50 mln km2, pothuajse 1/3 e gjithë sipërfaqes tokësore.
Janë zona që karakterizohen nga presion shumë i lartë atmosferik që nuk favorizon aspak reshjet e ku masat ajrore shtyhen nga era, e ku shiu mungon ose të paktën nuk i kalojnë 50 mm në vit.
Ndahen në tre lloje shkretëtirat, në të nxehta, e që janë ato tipike që ne i identifikojmë, me sipërfaqe të pafundme rëre të artë.
Shkretëtira e nxehtë karakterizohet nga klimë konstante me temperatura të larta, mungesë rrjedhash ujore.
Shkretëtirat e ftohta janë kryesisht në zona kontinentale të karakterizuara nga thatësirë dhe me luhatje drastike temperaturash e kryesisht janë shkëmbore.
Ndërsa tipologjia e tretë përfshin shkretëtirat polare, ose të bardha, e që janë zonat të ekstremeve veriore dhe jugore të tokës, Arktiku dhe Antarktida, dhe mjedis tipik të akullt e ku vegjetacioni është plotësisht i pamundur.
Fjala shkretëtirë, mbërrin nga latinishtja Desertum dhe do të thotë vetëm, i braktisur.
Por mund të vijë edhe si pasojë e e Hyjnisë egjiptiane të shkatërrimit, thatësirës Seth, që në gjuhën egjiptiane përdorej termi Desher, për të identifikuar shkretëtirën por edhe ngjyrën e kuqe, sikurse dhe ashpërsinë e pamundësinë e jetës në të.
Shkretëtirat janë ekosisteme që marrin shumë pak ujë, dhe zakonisht mendohet se kanë pak jetë ose aspak.
Por varet nga tipologjia dhe në disa jeta ështe e bollshme, me vegjetacionin që ështe përshtaur me sasinë e lagështirës dhe faunën që fshihet gjatë orëve të ditës.
Megjithatë instalimi i grupeve sociale njerëzore është i vështirë , por jo i pamundur.
Tuareg dhe beduinet janë popullsitë tipike të shkretëtirave, ku këta të fundit janë nomade të shkretetirës arabe, të Sianit dhe Afrikës veriore, e që kryesisht merren me rritjen e gamileve dhe dhive.
Ndërsa tuareg, ndryshe të njohur edhe si populli blu, nga veshjet e tyre karakteristike, janë popullsi berbere e Saharasë qendrore, pra në Mali, Nigeri dhe Algjeri, jetojnë në tribu të përbëra kryesisht nga grupe prej 30-40 persona, dhe për tu mbotjur nga rrezet e diellit, mbulohen plotesisht, duke lënë vetëm sytë të zbuluar.
Në tokë janë 26 shkretëtira, por padyshim më të njohurat janë ajo e Saharasë që është edhe shkretëtira e nxehtë më e madhe në botë, me mbi 9 mln km2
Saharaja brenda saj përmbledh spektakle të ndryshme, nga dunat e arta pranë liqeneve të kripur, të rrethuar nga palma, në territorin e Libisë, zonë kjo mjaft sugjestinuese.
Po në Libi ka dhe ndryshime me male shkëmbore të gdhendur nga era, e ku janë gjetur mjaft piktura prehistorike të popullsive të lashta njerëzore.
Sikurse në pjesën e Algjerisë një rajon i Saharasë ndërron skenografi, e mbulohet nga shkëmbinj të kuq dhe duna imponente në tonalitetet e portokallisë, me peisazhe surreale.
Shtrihet në Afrikën veriore dhe nis nga oqeani Atlantik deri në detin e kuq, me një gjatësi prej 5 mijë km dhe gjerësi deri në 2 mijë km, nga brigjet e Mesdheut deri në zonat qendrore të kontinentit afrikan, karakterizohet nga duna të arta dhe oaze të gjelbra.
Në disa zona dunat arrijnë deri në 180 m lartësi e lëvizin ngadalë të shtyra nga era. Heshtja dhe shtrirja e gjerë e Saharasë krijojnë ndjesinë e pafundësisë, ndërsa netët karakterizohen nga qiell i kristaltë si askund tjetër. Peisazhet e Saharasë kanë një bukuri të jashtëzakonshme e që shkon përtej kohës.
Afrika ështe e pasur edhe me shkretëtira të tjera, si Kalahari apo Namib.
Namib konisderohet shkretëtira më antike në planetin Tokë, dhe ofron pamje unike me duna monumentale që ndryshojnë ngjyrë në varësi të dritës së diellit, duke prekur të gjithë tonalitetet e së artës, portokallisë e deri tek e kuqja intensive, e me male ranore që arrijnë deri në 325 m lartësi e konstrastojnë të bardhën verbuese të pllajave argjilore.
Ndërsa në kontinentin Aziatik veçohet shkretëtira e Gobit në Mongoli, Karakum në Azinë qendrore, Taklamakan në Kinë dhe Thar, mes Indisë e Pakistanit.
Shkretëtira e Gobit në Mongoli shtrihet në një sipërfaqe prej 1.3 mln km 2 e që zë të paktën 1/3 e gjithë territorit të vendit e arrin edhe në Kinë.
Është mjaft e shtrirë dhe shumëllojshme, kryesisht e përbërë nga stepa të ashpra dhe shkëmbinj me duna rëre, duke u konsideruar tokë e konstrasteve ekstreme, përfshirë temperaturat që luhaten nga 40 gradë celcius deri në të kundërtën e plotë, -40 gradë nën zero. Është një ndër 5 shkretëtirat më të mëdha në botë.
Ndërsa shkretëtira më e madhe në planetin Tokë, është e bardhë, Antarktida, me një sipërfaqe prej rreth 13.8 mln km2, ndjekur nga një tjetër polare, Arktiku, me 13.7 mln km2.
Më pas renditen Saharaja e Afrikës, Rhub al Kali në Arabi , të dyja shkretëtira të nxehta dhe ajo aziatike e Ghobit, e karakterit e ftohtë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 