Në Parkun Kombëtar Yosemite në Kaliforni, një nga më të njohurit në SHBA, këtë sezon stafi është aq i pakët sa pothuajse të gjithë punonjësit, madje edhe shkencëtarët, janë të detyruar të pastrojnë tualetet e kampingjeve.
Punonjës të kualifikuar dhe me paga të larta janë caktuar për të kryer këto detyra prej disa javësh. Parqet kombëtare në gjithë vendin vuajnë mungesën e fondeve dhe të stafit. Situata është përkeqësuar edhe më shumë për shkak të shkurtimit të punonjësve federalë nga presidenti Donald Trump dhe nga Departamenti i Efiçiencës së Qeverisë.
“Yosemite nuk kishte mjaftueshëm staf për t’i mbajtur hapur ato kampingje, kështu që po tërheqin njerëz nga çdo sektor i parkut për të pastruar tualetet. Kjo do të jetë e vështirë për shërbimet e parkut për të ruajtur ato rezervime që njerëzit kanë gjatë gjithë verës dhe për t’u siguruar që kampingjet janë të pastra, të sigurta dhe në gjendje të mirë,” tha zv. presidentja e Shoqatës së Ruajtjes së Parqeve, Kristen Brengel.
Punëtorët për ruajtjen e natyrës thonë se këto raste ekstreme janë shenja që Shërbimi i Parqeve Kombëtare (NPS), i cili tashmë është nën presion për shkak të numrit të madh të vizitorëve dhe financimeve të pakta, mund të përballet me një sezon veror të ngarkuar, por të pasigurt.
Që kur Trump mori detyrën në janar, Shërbimi i Parqeve Kombëtare ka humbur 13% të forcës punëtore, sipas Shoqatës për Ruajtjen e Parqeve Kombëtare. Edhe pse amerikanët janë të ndarë për shumë çështje, shumica dërrmuese i çmojnë parqet si pasuri kombëtare dhe vende pushimi të përballueshme.
“Parqet ishin të mbushura me njerëz dhe ka të ngjarë që ato të vazhdojnë të jenë të mbushura me njerëz. Kjo kërkon detyrimisht staf,” tha Brengel.
Vështirësitë që disa parqe kanë për të punësuar dhe mbajtur mjaftueshëm personel mund të paraqesin rrezik për sigurinë e vizitorëve.n Më pak personel emergjence do të thotë që mund të vonohet ndihma për alpinistët e bllokuar apo të sëmurë nga të nxehtit.
“Një nga gjërat për të cilat shqetësohemi është se stafi, për shkak se do të jenë shumë të ngjeshur, mund të largohet në mes të verës. Dhe pastaj do të kemi një mungesë të madhe. Por nëse regjistrohesh si roje parku dhe po pastron tualete, po rregullon gjëra sepse nuk ka mjaftueshëm njerëz për t’i bërë ato, kjo mund të të lodhë, veçanërisht në një ditë të nxehtë vere,” tha Brengel.
Në shkurt, administrata Trump pushoi nga puna 20 mijë punonjës të cilët ishin të sapo punësuar ose të transferuar në detyra të reja. Kjo përfshinte edhe 1 mijë punonjës të tillë në Shërbimin e Parqeve Kombëtare.
Edhe pse më vonë këto shkurtime u anuluan, kjo e detyroi agjencinë të tërhiqte mbi 2 mijë pozicione sezonale dhe të përhershme në gjithë vendin. Tani parqet po përpiqen me shpejtësi të rikthejnë punonjësit provë dhe sezonalë, edhe pse sezoni veror ka nisur tashmë.
“Kur hyn në një faqe në Facebook për një park këto ditë, nëse bën vapë ose moti po ndryshon, sheh parqet që postojnë më shumë këshilla për vizitorët që të sjellin më shumë ujë, të sigurohen që kanë pajisjet e duhura, të mos e testojnë trupin e tyre këtë verë. Si përshembull, të bëjnë shëtitje dhe aktivitete rekreative që mendoni se mund t’i përballoni. Arsyeja pse po i postojnë këto nuk është vetëm për të dhënë këshilla të mira, por edhe sepse janë të shqetësuar nëse do të jenë në gjendje t’u shkojnë njerëzve në kohën e duhur për t’i ndihmuar,” u shpreh zv. presidentja e Shoqatës.
Ndoshta për të shmangur pasojat, Sekretari i Brendshëm Doug Burgum në prill lëshoi një urdhër që të gjitha parqet kombëtare të qëndrojnë të hapura dhe të ofrojnë “shërbimin më të mirë të mundshëm për vizitorët.”
“Vitin e kaluar, verën e kaluar, pamë shumë probleme me dehidratimin në park dhe disa njerëz që vdiqën për shkak të nxehtësisë ekstreme të verës së kaluar. Por nëse kjo verë rezulton të jetë po aq e nxehtë sa vera e kaluar në shumë parqe kombëtare në të gjithë vendin, thjesht mund të mos ketë staf të mjaftueshëm si roje dhe ekipe të kërkim-shpëtimit për të shpëtuar njerëzit ose për t’i ndihmuar ata shpejt,” është shprehur Brengel.
Por megjithëse Sekretari i Brendshëm, Burgum, premtoi publikisht të punësonte 7,700 roje parqesh në mënyrë sezonale këtë verë, ka të dhëna që tregojnë se vetëm 3,300 ishin punësuar deri më 13 maj.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
