04 nëntor 2026 – Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mesditën e sotme, rreth orës 14:45 në një pallat pesë katesh që ndodhet në Unazën Jugore të qytetit të Elbasanit.
Shpërthimi, i dyshuar nga një bombol gazi, ka ndodhur në katin e tretë duke shkaktuar flakë dhe shembjen e këtij niveli të godinës. Për pasojë, ka humbur jetën një 82-vjeçare, ndërsa dyshohet dhe për një tjetër person të mbetur nën rrënoja, raporton gazetari i Klan News Fatos Salliu.
Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se 10 persona janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore, mes tyre dhe një fëmijë.
Sipas informacioneve paraprake, shpërthimi është dëgjuar vetëm pak çaste përpara se flakët të përfshinin me shpejtësi ambientet e brendshme të banesës, duke shkaktuar panik te banorët e pallatit.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e Policisë së Shtetit dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve dhe evakuimin e banorëve të pallatit. Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e shkakut të shpërthimit dhe vlerësimin e dëmeve materiale.
Çfarë tha kryebashkiaku dhe drejtori i Policisë
“Në zjarrfikësen e Elbasanit erdhi një njoftim për një shpërthim pranë autostradës, në një pallat 5-katësh. Menjëherë forcat zjarrfikëse kanë ardhur në vendngjarje, në terren…Është parë një dëmtim i strukturës së pallatit, një shembje e katit të 4-ërt, që ka rënë në katin e 3-të. Gjithashtu ka pasur shembje të shkallëve lidhëse… Janë marrë masat për evakuimin dhe shuarjen e zjarrit në katin e 3-të që është përhapur. Fatkeqësisht kemi pasur një humbje jete, ndërsa një 69-vjeçar rezulton i zhdukur. Kemi pasur 10 persona që janë paraqitur pranë spitalit për të marrë ndihmën e parë, pa problematika për shëndetin”, deklaroi kryebashkiaku Gledian Llatja.
Ai theksoi se pallati është i vjetër, në të cilin janë bërë ndërhyrje vetëm vitet e fundit, ndërsa ka probleme të mëdha konstruktive.
Nga ana tjetër, drejtori i Policisë Elbasan, Kastriot Skënderaj shtoi se “10 personat në spital, janë kryesisht të asfiksuar dhe nuk u rrezikohet jeta”.
“Personi me të cilin kemi humbur kontaktet ka qenë në katin ku ka rënë zjarri. Jemi duke e trajtuar me shumë kujdes si rast, ndërsa shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm. U raportua se ishte shpërthim i bombolës së gazit, megjithatë mbetet për t’u konfirmuar. Me fikjen e zjarrit, do ju japim informacion sërish”, tha ai.
Banorët të tmerruar nga shpërthimi: Më ka rënë dera në kokë, djali bërtiste e s’e ndihmoja dot
Banorët e pallatit shprehen të tmerruar nga shpërthimi i fuqishëm. Shtëpitë e tyre janë dëmtuar e as nuk kanë një tjetër vend për të kaluar natën. Njëri prej tyre ka pësuar dëmtime në kokë dhe në pjesën e duarve pasi i ka rënë dera sipër nga fuqia e shpërthimit.
“Unë jam punëtor i thjeshtë me gjithë gruan, ku do të rrijë? E kam shtëpinë në kat të dytë, më ra era në kokë. Të dëgjosh djalin të bërtasë dhe të mos e ndihmosh dot. Nusja po vinte me djalin tjetër nga shkolla. Kam dalë në ballkon duke kërkuar ndihmë. Tani erdha nga spitali.
Kujt t’i bie në qafë unë sonte? Shpërthimi ka qenë shumë I fortë, nuk e di se çfarë ka ndodhur”, tha banori.
Ai ngre si shqetësim dhe disa shtesa të bëra në godinë, sipas të cilit kanë penguar operimin e zjarrfikësve dhe të ambulancave.
“Po të mos ishte ajo shtesë aty, do të hynte zjarrfikësja. Jashtë fasadës duhet të jetë 7 metra minimum bosh që të quhet hapësirë publike që të hyjë ambulance e zjarrfikësja. Ku e ke? Soleta e katit të tretë ka rënë poshtë. Si kjo nuk kisha dëgjuar ndonjëherë”, tha ai.
/tvklan.al












Botërori 2026 