Një shpërthim i madh ka ndodhur në atmosferën e Tokës në muajin Dhjetor, sipas NASA, por që është bërë e ditur së fundmi. BBC raporton se ky ishte shpërthimi më i madh i këtij lloji gjatë 30 viteve të fundit, dhe më i madhi që kur një meteor goditi qytetin Chelyabinsk në Rusi 6 vite më parë.

Meteori shpërtheu mbi Detin Bering, jashtë Gadishullt të Kamçatkës në Rusi. Sipas NASA, shpërthimi i meteorit në atmosferën e Tokës lëshoi energji 10 herë më të madhe se sa shpërthimi i bombës atomike në Hiroshima. Një zyrtar i NASA tha për BBC se një meteor i tillë që shpërthen në atmosferën e Tokës është fenomen që ndodh 2 ose 3 herë çdo 100 vjet. Ka qenë data 18 Dhjetor 2018 kur meteori hyri në atmosferën e Tokës me një shpejtësi 32 km/s me një trajektore të pjerrët prej 7 gradë.

Trupi hapësinor shpërtheu 25.6 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës. Shpërthimi i meteorit në atmosferën e planetit tonë ishte kapur fillimisht nga satelitët ushtarakë. NASA u njoftua nga Forca Ajrore Amerikane për shpërthimin e objektit hapësinor mbi Detin Bering.

/tvklan.al