Një ngjarje e rëndë ndodhi në Lushnje. Një shpërthim në një zonë ku po ndërtohej i ka marrë jetën një personi ndërsa kanë mbetur të plagosur disa të tjerë. Mes të plagosurve është edhe deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela.

“Informacioni paraprak për të cilin ne punuam për ta konfirmuar ishte që u tha se në momentet e para dyshohej për një deputet ose ish-deputet i cili mund të kishte marrë dëmtime sa i takon shpërthimit. Më pas u arrit të konfirmohej edhe nga burime të tjera të strukturave të policisë, por edhe të spitalit të Lushnjes që kemi të bëjmë pikërisht me deputetin Bujar Çela, i cili ka marrë disa dëmtime”, raportoi gazetarja Daci.

Ndërkohë gazetarja Anila Sefa raporton se gjendja e tij është e stabilizuar pasi është futur në sallën kirurgjikale.

“Më thonë deputeti i PS, Bujar Çela është në sallën e operacionit, në sallën kirurgjikale. Një nga mjekët është pyetur nga Balla, mbi gjendjen e tij dhe është raportuar që gjendja e tij pas ndërhyrjes kirurgjikale është e stabilizuar jashtë rrezikut për jetën”, raportoi gazetarja.

Megjithatë për ndihmë më të specializuar ai u nis drejt Spitalit të Traumës.

Dyshimet janë që shpërthimi të jetë shkaktuar pasi linja e tensionit të lartë që preku vinçi ka rënë mbi depozitën e oksigjenit që shërbente për saldim. Nga kjo ngjarje humbën jetën babë e bir, Roland dhe Elidon Hoxha, të cilët ndodheshin tek vinçi./tvklan.al