Një nga kafshët më ikonike të Australisë, koala, është në prag të zhdukjes. Veç kërcënimeve të shpyëllëzimit, sulmeve nga qentë e egër dhe shtëpiakë apo përplasjet në trafik, popullata e koalave po zvogëlohet nga klamidia. Infeksioni bakterial që transmetohet në rrugë seksuale prek 50% të koalave australiane dhe mund të jetë vdekjeprurës.
Pas një dekade kërkimesh, shkencëtarët nga University of the Sunshine Coast kanë marrë miratimin për një vaksinë të klamidias me një dozë që shpresojnë se do të ndryshojë situatën. “Kjo është vaksina e parë e klamidias për koalat. Ne besojmë se do të ndihmojë në parandalimin e infertilitetit te koalat dhe përparimin e sëmundjes”, tha mikrobiologu molekular Sam Phillips.
Infeksionet e Chlamydia pecorum kanë ndikim të fortë te këta marsupialë pasi bakteri shpërndahet te organet. Infeksioni mund të shkaktojnë verbëri, infesione në rrugët urinare deri në inflamacion të mureve të fshikëzës urinare dhe veshkave që mund të çojë deri në abcese dhe kiste. Në rrugët riprodhuese, mund të shkaktojë infertilitet te femrat dhe dëmtim të ADN-së së spermatozoidit te meshkujt.
“Kur koalat sëmuren nga sytë, s’mund të gjejnë gjethe për të ngrënë, pemë për t’u ngjitur apo t’ia mbathin nga grabitqarët. Infeksionet në traktin urinar çojnë në dehidratim dhe humbje të muskujve”, shpjegon Phillips. Këto efekte kanë shkaktuar rënie masive të popullsisë së koalave në pjesën më të madhe të vendit.

Përmasat e vogla, izolimi ekstrem dhe diversiteti i kufizuar gjenetik i popullatave të tyre bën që marsupialët gjumashë të mos jenë rezistentë ndaj sëmundjes.
Deri më tani, trajtimi i vetëm ishin antibiotikët. Por për shkak se ato i metabolizojnë shpejt, do të nevojitej katërfishi i dozës që do t’i jepej një kafshe me përmasa të ngjashme.
Nga ana tjetër, kjo dëmton rrugët gastrointenstinale sepse largon mikrobiomën që detoksifikon dhe tret gjethet e eukaliptit me të cilat ushqehen.
Tani shkencëtarët shpresojnë se me vaksinimin e koalave të shëndetshme, ka më pak gjasa që këto kafshë të trajtohen me antibiotikë.












Botërori 2026 
